Ndeshja e sotme në Premier Ligë mes Uotford dhe Çelsit është ndërprerë në minutën e 11 për shkak të një situate të pazakontë. Në rezultatin 0-0 në stadiumin “Vicarage Road”, ndeshja u ndërpre për shkak se një tifoz pësoi infarkt në tribunë dhe lojtarët e dy skuadrave refuzuan që të vazhdonin lojën derisa situata të ishte normalizuar.
Në minutën e 10, u pa se një tifoz pësoi infarkt në tribunë dhe stafet mjekësore të dy skuadrave vrapuan me shpejtësi për ta asistuar në ato momente. Lojtarët u futën në dhomat e zhveshjeve dhe nuk pranuan të dilnin as në nxemje pa qenë të sigurt se tifozi në fjalë ishte në gjendje më të mirë, pasi nuk do të kishte kuptim të vazhdohej ndeshja në rast tragjedie.
Ndërkohë, për rreth 20 minuta këtij tifozi iu dha asistencë mjekësore, përfshirë edhe masazhin kardiak, derisa u stabilizua dhe më pas u largua me ambulancë drejt spitalit. Vetëm kjo bindi lojtarët e Uotford dhe Çelsit që të ktheheshin në fushë dhe ta vazhdonin ndeshjen.