Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha se javën e ardhshme do të bëhet e ditur përbërja e shumicës të qëndrueshme parlamentare.
“Shumica e re e qëndrueshme në Kuvend është e padiskutueshme dhe kjo do të bëhet e ditur javën e ardhshme. Në ditët në vijim ai mozaik i shumicës parlamentare, do të realizohet dhe do të tejkalohen të gjitha problemet dhe sfidat”, deklaroi Bujar Osmani në konferencën e përbashkët për media në Shkup me ministrin austriak për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Mihaell Linhart.
Osmani thotë se e rëndësishme është që Republika e Maqedonisë së Veriut nuk lejoi të jetë pjesë e problemit me Bullgarinë, sepse nuk pati sukses përpjekja e para disa ditëve që vendi të hyjë në destabilizim politik, me çka do të vonohej edhe më tej rruga drejt BE-së.
“Do të përsëris, është shumë me rëndësi se forcat racionale politike, por edhe deputetët vendosën në këtë moment shtetin të mos e shndërrojnë në pjesë të problemit, por në pjesë të zgjidhjes së perspektives sonë evropiane. Presim që të përfundojnë ato bisedime dhe besoj se javën e ardhshme tashmë do të kemi shumicë të qëndrueshme e cila do të fillojë të merret me sfidat të cilat i ka Qeveria”, tha Osmani.
Sa i përket mënyrës si të arrihet shumica, ai përsëriti se “ka disa opsione”.
“Më mirë t’i përfundojmë këto bisedime, të cilat janë aktuale këto ditë me liderët e koalicionit dhe me kryeministrin Zaev dhe Ahmeti dhe me partnerët e tjerë të mundshëm. Do të ishte mirë ata që do të jenë pjesë e qeverisë së re ose e shumicës së re të jenë ata që do ta tregojnë motivin pse duan të jenë pjesë e kësaj shumice që garanton stabilitet dhe të ardhme evropiane për shtetin”, theksoi Osmani.