Pas zgjedhjeve lokale dhe votimit të pasuksesshëm në Kuvend për mosbesim të Qeverisë, pritet rikonstruimi i kabinetit “Zaev 2”. BDI-ja e konfirmon qëndrimin e saj – nuk do të ndërrojë ministra, por si reflektim i rezultatit zgjedhor ka gjasa të ketë disa ndryshime në postet e drejtorëve. Partia tani është përqendruar në projektet e premtuara nga fushata e vitit 2020. Kryeministri, dorëheqjen e paralajmëruar e vendosi në pauzë, por sipas Presidentit të shtetit Pendarovski, Zaevi do të tërhiqet tërësisht brenda disa muajsh.
Unë jam i mendimit se tërheqja e tij është vetëm çështje muajsh. Bëhet fjalë për maksimum disa muaj, sepse, po e përsëris, kur merrni ndonjë vendim politik – tërheqja nga politika pas kaq vitesh është vendim i madh, kurse hyrja në politikë ende më i madh…”, tha Stevo Pendarovski, president.
Sipas profesoreshës dhe deputetes, Gordana Siljanovska-Dafkova vendi është në krizë politike.
“Ne tashmë jemi në krizë politike dhe habitem, sepse kur jep dorëheqjen, unë nuk e di nëse kryeministri ka dhënë dorëheqje, atëherë ajo Qeveri automatikisht është Qeveri në dorëheqje. Askush në botë, e as në BE nuk bisedon dhe negocion me kryeministra në dorëheqje, me Qeveri në dorëheqje. Kjo është krizë politike”, pohoi Gordana Siljanovska, VMRO-DPMNE.