Ekonomia e Maqedonisë së Veriut do të rritet për 4% këtë vit dhe në vitin 2022, thotë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e saj më të ri për perspektivat ekonomike të Ballkanit Perëndimor, transmeton TV21. “Rimëkëmbja po vazhdon në Maqedoninë e Veriut, me rritje të nxitur si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe nga ajo e jashtme. Konsumi i amvisërive është rritur ndjeshëm, i mbështetur nga rritja e pagave, rritja e kredisë dhe remitancat, megjithëse është ende relativisht i ulët në krahasim me ekonomitë e tjera të rajonit. Eksportet e mallrave u rritën si në vlerë ashtu edhe në vëllim, së bashku me importet e nxitura nga rimëkëmbja në BE”, vlerëson BERZH. Në raport theksohet se pas katër tremujorësh radhazi me rritje negative ndërmjet tremujorit të dytë të vitit 2020 dhe tremujorit të parë të vitit 2021, filloi rimëkëmbja e ekonomisë vendore. Për rajonin e Ballkanit Perëndimor BERZH parashikon rritje me 6,4 për qind këtë vit.