Mbi 2 milionë euro u “zhdukën” nga Thesari i Shtetit tetorin e vitit të kaluar ndërsa i dyshuari kryesor për këtë çështje ishte Labinot Gruda, në atë kohë me pozitë në Ministrinë e Financave si menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Labinot Grudës e Kadri Shalës, përshkruhet në detaje se si është kryer transferi i 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë, për të cilën Prokuroria Speciale e ka ngarkuar Labinot Grudën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, hyrje në sistem kompjuterik, vjedhje të identitetit dhe pajisje e qasjes, ndërsa Kadri Shala nga e njëjta prokurori po akuzohet për veprën penale të ndihmës të lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.Sipas aktakuzës, të siguruar nga Kallxo.com, paratë e transferuara nga Gruda te Kadri Shala e i cili ky i fundit pastaj i kishte shpërndarë në disa kompani të tjera sipas aktakuzës janë para të disa projekteve kapitale më saktësisht projektit për “Rehabilitimin e rrugëve Zhur-Dragash në vlerë të 330 mijë e 92 eurove, Prizren-Prevallë në vlerë të 750 mijë eurove, Prizren-Prevallë në vlerë të 375 mijë eurove dhe projektin Prishtinë-Mitrovicë në vlerë të 622 mijë e 903 eurove”.
Aktakuza tutje përshkruan se sa usera apo përdorues ka krijuar Labinot Gruda për të tërhequr paratë e projekteve dhe për t’i transferuar ato më pas në kompaninë “LDA GROUP SHPK” në të cilën person i autorizuar ligjor ka qenë Kadri Shala.
Më 9 tetor të vitit të kaluar, Labinot Gruda sipas aktakuzës, në orën 11:28 minuta përmes userit/përdoruesit të tij “LGruda” ka përditësuar klasën funksionale të tij në SIMFK duke i mundësuar vetes regjistrimin e furnitorëve apo operatorëve ekonomik, ku më pas ka regjistruar në SIMFK kompaninë “LDA GROUP SHPK”.
Labinot Gruda tutje sipas aktakuzës në të njëjtën ditë kishte krijuar disa usera/ përdorues të rinj për të mundësuar më pas qasjen në urdhër blere dhe qasje në pranim të mallit. Në orën 12:33 të datës 9 tetor 2020, Labinot Gruda kishte krijuar edhe një përdorues tjetër me qasje për shpenzim dhe në orën 12:42 ka ndërruar fjalëkalimin për përdoruesin ekzistues të një personi i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues në Ministrinë e Infrastrukturës.
Pas këtyre hapjeve të llogarive të reja, sipas aktakuzës, Gruda kishte shfrytëzuar njërën nga këto llogari për të bërë urdhër-blerje në vlerë të mbi 2 milionë eurove për kompaninë “LDA GROUP SHPK”, person autorizues ligjor i të cilës ishte Kadri Shala.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, veprimet e Grudës nuk kishin ndaluar, ai përmes llogarisë së tij pas realizimit të urdhër blerjes me qëllim të pranimit të mallit kishte shfrytëzuar edhe një llogari tjetër të cilën e kishte krijuar vetë dhe kishte bërë pranimin e mallit për të gjitha urdhër blerjet për kompaninë “LDA GROUP SHPK”.
Për çdo veprim, Gruda kishte përdorur llogari të krijuara nga vet ai, thuhet në aktakuzë. Edhe për shpenzim të mallit, Gruda kishte përdorur një llogari tjetër dhe kishte krijuar kuponët e shpenzimit si dhe certifikimin e kuponëve për kompaninë “LDA GROUP SHPK”.