Mëngjesin e sotëm persona të panjohur, kanë demoluar zyrat e redaksisë së Gazetës Lajm. Autorët kanë hyrë në redaksinë e Gazetës Lajm dhe kanë vjedhur gjërat materiale, si kamera dhe pajisjet tjera.
Pronari i Gazetës Lajm në një prononcim për TV21, tha se autorët kanë hyrë në mënyrë shumë profesionale pa mos e dëmtuar derën. Siç tha ai, dëmi material që kanë shkaktuar, sipas vlerësimeve të tyre është 40 mijë euro.
Ndër të tjera potencoi se rasti është paraqitur edhe në organet kompetente dhe tani po presin një epilog.
“Rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, interesant është se nuk është demoluar dera. Kanë hyrë brenda në mënyrë shumë profesionale autorët e këtij akti vandal. Kanë hyrë brenda pa u demoluar dera. Hyrje tjetër nuk ka mundësi me pas edhe në mënyrë më profesionale kanë hyrë brenda. Tash nuk e di a mund të jetë edhe ndonjë mesazh politik, por unë nuk do të doja ta besoja se është mesazh politik, sepse Fejzi Hajdari udhëton akoma çdo ditë Prishtinë – Tiranë me makinën e vete”.
“Po të kishin ndonjë qëllim politik, me prapavijë politike do të mundeshin dikund tjetër ta bëjnë dhe jo në redaksi. Këtu edhe mënyra se çfarë është vjedhur nga brenda janë gjëra materiale, si kamera edhe pajisjet tjera që kemi pasur. Në bazë të vlerësimeve tona diku 40 mijë euro na kanë dëmtuar. E kemi paraqitur rastin, erdhën organet përkatëse, e bënë ekspertizën e nevojshme. Organet kompetente janë sjellur shumë mirë dhe po presim epilog. Dyshoj se mund të ketë ndonjë prapavijë politike”, tha pronari i gazetës Lajm për TV21, Fejzi Hajdari.