Sekretari Aziri pjesë e konferencës shkencore në kuadër të 40 vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Valmir Aziri po qëndron në Tiranë si i ftuar nga ana e Muzeut Historik, për të marr pjesë në konferencën shkencore me rastin e themelimit të 20 vjetorit, duke trajtuar çështje bashkëkohore dhe sfidat me të cilat përballen muzetë.Sekretari Aziri iu drejtua të pranishmive duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe afirmimit të vlerave historike kombëtare, gjithkah ku jetojnë shqiptarët:I nderuar drejtor i Muzeu Historik Kombëtar, Zoti Dorian Koçi.E nderuara ministre e kulturës së Shqipërisë zonjë Elva Margariti , i nderuar ministër i kulturës së Kosovës zotri Hajrulla Çeku, shumë i respektuar kryetarë i akademisë dhe shkencave të Republikës së Shqipërisë zotri Skender Gjinushi, të nderuar drejtues të instituteve shkencore dhe muzeore në të gjitha trojet shqiptare, të nderuar muzeologë, studiues dhe ju të pranishëm.Jam shumë i nderuar që sot bëhem pjesë e aktiviteteve kushtuar 40-vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të ju drejtohem pikërisht në hapjen e konferencës së parë shkencore ndërkombëtare muzeologjike këtu në Tiranë. Muzeu Historik Kombëtar, në zemër të kryeqendrës shqiptare, është thesar i jashtëzakonshëm i memories sonë kolektive, në të cilën vijnë që nga lashtësia vlerat më sublime të kombit tonë.Ky muze, përbën njërin nga faktorët më dominantë të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave tona kombëtare nga brezi në brez, dhe si i tillë meriton një vëmendje të theksuar dhe të përhershme, jo vetëm se nga institucionet kompetente shtetërore, por edhe më gjerë. Të nderuar, Në dekadat e fundit, fatmirësisht ka ndryshuar rrënjësisht pozita e shqiptarëve në rajon, dhe rrjedhimisht është përmirësuar dhe po vazhdon të përmirësohet vazhdimisht edhe kujdesi ndaj vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Prandaj, sot edhe ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sidomos pas luftës së vitit 2001, po bëjmë përpjekje të pandalshme që të kujdesemi për ato vlera të cilat na i kanë lënë amanet të parët tanë nëpër procese të shumta historike. Në këtë drejtim, më lejoni t’ju përkujtoj se viteve të fundit te ne janë themeluar institucione mjaft kredibile, të cilat po punojnë pa reshtur dhe me një elan të jashtëzakonshëm për nxjerrjen në pah të vlerave tona. Është themeluar Institucioni nacional “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe” në Manastir, Institucioni nacional “Qendra për Konservim” në Gostivar, Institucioni publik shkencor “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup” është themeluar Ansambli Nacional i këngëve dhe valleve shqipe . Ndërsa, janë themeluar nga komunat përkatëse dhe janë në proces të institucionalizimit edhe “Muzeu i Lirisë” në Shkup, Qendra përkujtimore “Nëna Shqiptare” në Zajaz të Kërçovës, Qendra përkujtimore e eksodit “Bllaca 99”, etj. Nëpër të gjitha trevat shqiptare të Maqedonisë së Veriut janë ngritur komplekse varrezash të dëshmorëve të kombit të vitit 2001, funksionojnë edhe (mini)muze që flasin për luftën heroike të UÇK-së. Të gjitha këto përbëjnë vulë të pashlyeshme në ruajtjen e identitetit historik kombëtar të shqiptarëve në trojet tona etnike në Maqedoninë e Veriut. Natyrisht, që ende ka edhe shumë punë dhe nevoja që ky thesar i pasur historik të ruhet, dhe nga nëntoka të nxirren të vërteta të reja historike dhe arkeologjike, të cilat do t’i flasin të ardhmes me dritën e artefakteve shkencore. Të nderuar të pranishëm,Pa dashur të zgjatem më shumë… vetëm desha të theksoj rëndësinë e ruajtjes dhe afirmimit të vlerave tona historike kombëtare, gjithkah ku jetojnë shqiptarët. Prandaj, edhe këtë konferencë Shkencore Ndërkombëtare Muzeologjike me titull “Muzetë përtërijnë të ardhmen”, e shoh pikërisht në prizmin e zhvillimit të muzeologjisë në dimensione të reja drejt së ardhmes.Duke ju dëshiruar studiuesve dhe muzeologëve punime të suksesshme gjatë kësaj konference, njëkohësisht ju kisha inkurajuar për një bashkëpunim më intensiv ndërmjet institucioneve muzeore të vendeve tona. Përvoja e secilit nga ju është shumë e rëndësishme, sikurse edhe bashkëpunimi i sinqertë në të ardhmen në projekte serioze ndërajonale në fushën e muzeologjisë. Ju falënderoj shumë për respektin, ju uroj shëndet, suksese dhe çdo të mirë!

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *