Ministri i Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Armend Mehaj thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në krijimin e kapaciteteve ushtarake që i nevojiten vendit.
Mehaj ishte këto ditë për një vizitë në Uashington, gjatë të cilës u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Nënsekretarin amerikan të Mbrojtjes Colin Kahl.
Ministri Mehaj tha se takimet me zyrtarë të lartë amerikanë ishin në kuadër të kontakteve të rregullta dypalëshe në shërbim të thellimit të bashkëpunimit drejt krijimit të ushtrisë së Kosovës dhe kapaciteteve të saj.
“Kosova është në formim e sipër të ushtrisë së saj. Këtë dëshirë ka populli ynë për qindra e mijëra vite. Sot jemi në atë nivel që bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po krijojmë kapacitetet që i duhen shtetit të Kosovës”, tha Mehaj për Zërin e Amerikës.
Ne vjeshtën e vitit 2018, Kosova me mbështetjen e Shteteve te Bashkuara, vendosi që përmes ndryshimeve ligjore të bëjë transformimin e Forcës se Sigurisë në ushtri.
“Tani jemi në fazën e dytë të planit të koordinuar dhe të përbashkët sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani jemi në fazën që kapacitetet ushtarake po rriten përditë, nevojat shtetërore kërkohen. Në këto rrethana ka qenë edhe vizita, por edhe koordinimi i përbashkët. Siç e dini, kohët e fundit kemi pasur një stërvitje të përbashkët ushtarake, një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake. Ishim edhe vend mikëpritës për herë të parë në Kosovë. Tani po bashkëpunojmë për stërvitjen ‘Defender Europe 23’, por edhe për operacione të përbashkëta ndërkombëtare. Aty ku ka nevojë Amerika, aty do të jetë edhe ushtria e Kosovës krah për krah me ta”, tha ministri Mehaj.