Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e mbajti sonte tubimin qendror në Tetovë, ku i prezantoi shumicën nga 14 kandidatët për kryetarë të komunave, të cilët partia i ka propozuar për zgjedhjet lokale.
Sadi Bexheti, kandidat për kryetar të komunës së Tetovës para të pranishmëve tha se qyteti është një vend i elitës politike, qendër kulturore, sportive, ekonomike, por me mungesë të ujit të pijshëm, papastërti, kaos trafiku, pa gjelbërim dhe nevojitet që të përmirësohet jeta e njerëzve.
“Sot jam para jush për t’ju siguruar se së bashku mund të bëjmë Tetovën, qytetin që duam. Një qytet, për të cilin të gjithë qytetarët do të jenë krenarë pa ndarje. Koha është tani për të aplikuar një mundësi të re, kreativitet dhe energji, për t’u përballur me problemet që pllakosin çdo qytetar. Ujësjellës modern, me rezervuar, studim i detajuar për trafikun, vende parkimi në të katër hyrjet e qytetit, transport publik me autobus, pastrim i plotë i qytetit, përcaktimi i disa pikave për riciklimin e plehrave, të cilat do t’i lejojnë çdo qytetari të kontribuojë për një qytet më të pastër. Mjaft lumenjtë dhe fushat janë shndërruar në deponi. Një park në qendër të Tetovës që do t’i japë frymë qytetit, qytetarëve dhe fëmijëve. Parkim nëntokësor, zhvillim i Kodrës së Diellit”, tha Sadi Bexheti.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi theksoi se pas fitores së partisë shumë gjëra do të ndryshojnë.
“Në pesë vitet e fundit kemi kaluar një kohë të vështirë si parti, ky nuk është lajm i ri, ne vazhdimisht po kalojmë nëpër etapa. Unë jam këtu për t’ju falënderuar që vooni për PDSH-në. Plani i kundërshtarëve ishte shuarja e PDSH-së, t’i prehet koka, në mënyrë që shqiptarët në Maqedoni të ishin grupe të ndryshme. BDI dhe Ali Ahmeti kanë 20 vjet në pushtet, nuk do t’ju jap një argument tjetër, njerëzit tanë janë të dëmtuar nga pikëpamja ekonomike, ju e dini që shqiptarët në Maqedoni ishin ekonomikisht më të fortë se shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Shqipëri. Pas 20 vitesh jemi në vendin e fundit. Kam vizituar çdo vendbanim. Kudo më kanë thënë se 80 për qind e popullsisë së re ka shkuar jashtë vendit. Ne kemi një problem që t’u shpjegojmë njerëzve se jemi të ndryshëm. Mendoj se na presin ditë më të mira, jam i bindur se do të fitojë profesor Sadi Bexheti. Kandidatëve t’ua japim fuqinë e PDSH -së, të gjithë shqiptarët që kam takuar vitin e kaluar dhe që votuan për BDI-n, dhe që nuk votuan për ne, të gjithë më pyetën me një shikim, dhe unë u përgjigja me një shikim se vullneti vjen nga ju njerëz”, theksoi lideri Menduh Thaçi në tubimin e PDSH -së në Tetovë.