Gjithsej 77 për qind ose 27.298 persona nga rastet e me coronavirus gjatë dy muajve të kaluar nuk kanë qenë të vaksinuar. Deri më 30 shtator, gjithsej janë vaksinuar 788.058 qytetarë, të rivaksinuar 729.794. Gjatë ditës së djeshme u regjistruan 412 raste të reja, kurse numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve që nga fillimi i pandemisë është 191.820.
Siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë në analizën për dy muajt paraprak, nga 6 gushti deri më 30 shtator ka pasur 35.531 qytetarë të infektuar, ndërsa 8.233 persona kanë qenë plotësisht të vaksinuar.
“Vdekshmëria te personat e pavaksinuar është shumë më e madhe. Në periudhën nga 6 gusht deri më 30 shtator në Maqedoni kanë humbur jetën 1.162 persona nga coronavirusi, ndërsa 987 pacientë nuk kanë qenë të vaksinuar dhe vetëm 15% kanë pranuar vaksinë. Sipas analizave, të vdekurit kanë pasur sëmundje kronike”, thonë nga MSH.
Ndryshe, deri më 30 shtator janë vaksinuar 788.058 qytetarë, të rivaksinuar 729.794, kurse dozën e tretë e kanë pranuar 235 qytetarë.
Sipas analizave, 53% e popullsisë mbi 40 vjet janë rivaksinuar, ndërsa 32% e popullsisë nga 18-39 vjet kanë pranuar të paktën një dozë të vaksinës./Telegrafi/