Sot Kosova shënon plot 24 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.
Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve 90-të, njofton RTK.
Përveç masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.
Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Profesor Muhamet Mala ka vlerësuar herët se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte krah intelektual i lëvizjes çlirimtare. Ai ka thënë: “Mendoj se kjo lëvizje ka qenë një krah intelektual i lëvizjes çlirimtare e cila kishte filluar shumë më herët. Në fakt, lëvizja çlirimtare në Kosovë çdoherë i ka pasur dy komponentë. Komponenti i parë ka qenë një lloj rezistence ushtarake që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në kohën e lëvizjes nacional demokratike çlirimtare. Në këtë kuptim ajo ka vazhduar në vitin 1968 me protesta dhe më 1981 po ashtu, për të ardhur deri te lëvizja studentore, e cila e ka plotësuar këtë lëvizje”.