Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë i ka ftuar liderët e subjekteve opozitare në Kuvend dhe sot në mëngjes ka pritur në takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Takimi i sotëm, siç ka informuar zyra e Kryeministrit, është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës.
“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Krerët opozitarë, Krasniqi dhe Abdixhiku kanë shprehur mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.
Sipas komunikatës, krerët e opozitës po ashtu kanë theksuar mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.