Kur në Bruksel ishte nënshkruar para shumë vitesh marrëveshja për vendosjen e postave kufitare në Jarinjë e Bërnjak ishte rënë dakord midis Serbisë dhe Kosovës që kalimi të bëhej me targa dhe dokumente respektive të të dy shteteve. Por çfarë ndodhi? Gradualisht Beogradi përforcoi pozitën e tij të imponimit me mendësinë se “Kosova nuk është shtet” dhe se “Veriu i Kosovës i përket Serbisë”! Klasa politike e Kosovës u përça, sepse pati prej atyre politikannëve, midis të cilëve presidenti i vendit, që iu nënshtruan Beogradit! Prandaj dhe Serbia nuk i konsideroi kurrë Jarinjën e Bërnjakun si pika të kalimit kufitar, përkundrazi si pika të kontrollit policor, ta zemë në formën e një post-blloku të vendosur diku në dalje të Kragujevacit!
Gjatë gjithë kohës autoritetet serbe imponuan rregulla dhe lojëra politike të pazakonta. Në Jarinjë, Bërnjak e në të gjitha pikat e tjera kufitare ndalesat ishin me orë për shkak të kohës që zinte ndërrimi i targave. Shqiptarët hynin në Serbi pasi kishin ndërruar targat e makinave nga RKS në KS, ose pasi pajiseshin me targa të përkohshme të qyteteve të Serbisë. Kjo praktikë u bë rutinë me vite .
Sot në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë janë stacionuar forca policore e të kontrollit kufitar, të cilat kontrollojnë zbatimin e masave të reciprocitetit të vendosyr nga qeveria Kurti. Zoti Kurti u kishte shkruar një letër të gjithë kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian dhe i kishte paralajmëruar për masat e reciptocitetit me Serbinë. Nuk ka ndonjë informacion nëse dikush nga këto personalitete shtetërore europiane i është përgjigjur letrës së kryeministrit të Kosovës. Por edhe nëse kemi të bëjmë me një heshtje të tyre, kjo heshtje jep mesazhin se “Reciproociteti është një çeshtje e brendshme e Kosovës, gjë për të cilën nuk mund të ketë një përgjigje nga partnerët”! Ndoshta është edhe një test prove për qeverinë e zotit Kurti, për të testuar vendosmërinë dhe suksesin e këtij aksioni politik!
Reciprociteti në këtë moment është produkt i diskriminimit dhe aparteidit që Serbia i bën Kosovës. Edhe pas heqjes së autonomisë nga ana e Milosheviçit, Kosova thirrej me emrin e saj të sotëm dhe nuk u thirr me emërtimin fyes dhe predikues të kolonializmit, “Kosovo-Metohi”! Ky emërtim i trashëguar nga koha e Aleksandër Rankoviç, u hoq me ndryshimet kushtetuese të vitit 1966 dhe u rikthye veçmas nga Aleksandër Vuçiq. E megjithatë ky Rankoviçi i sotëm është gjithashtu miku më i madh i të gjitha kohërave të qeverisë së Tiranës. Përveç Stalinit dhe Titos, asnjëherë Tirana zyrtare nuk ka patur një mik kaq të veçantë e të respektuar sa Aleksandër Vuçiqin.
E gjitha ka ndodhur, sepse presidenti i sotëm i Serbisë është armiku më i madh i shqiptarëve në përgjithësi dhe shqiptarëve të Kosovës në veçanti pas Rankoviçit dhe Milosheviçit! Thjesht atë nuk e favorizojnë rrethanat ndërkombëtare për të bërë atë që bëri shefi i tij i qeverisë së viteve 1990, Sllobodan Milosheviçi. Për këtë arsye reciprociteti duket në këtë moment si masa më e efektshme që Serbisë t’i imponohet një qasje tjetër ndaj Kosovës. Ndoshta ky reciprocitet duhet të shkojë deri te emërtimi i Serbisë me ndonjë emër të dikurshëm, kur ishte thjesht sanxhak i perandorisë osmane. Ndoshta duhen gjetur metoda analoge që edhe në takimet zyrtare në Bruksel dhe në mbledhjet e tjera ndërkombëtare të gjendet një formulë fyese për të, siç ajo përdor formulën e emërtimit “Kosovo-Metohi”! Atëherë edhe reciprociteti do të kishte efekt të jashtëzakonshëm. Kjo për faktin se kopertura anti-Kosovë përdoret prej Aleksandër Vuçiç për kapital të brendshëm elektoral!
Reciprociteti është një e drejtë ndërkombëtare e çdo shteti në botë. Kosova nuk është njohur nga Këshilli i Sigurimit si shtet, për shkak të interesave gjeopolitike ruse. Por ajo është çertefikuar si shtet i pavarur nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në fund të fundit vetë Këshilli i Sigurimit dhe OKB e ka adresuar çeshtjen në Hagë dhe Kosova ka dalë e fituar në të drejtën e saj që më 22 korrik 2010. Prandaj dhe masat reciproke me Serbinë janë legjitime.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e këtyre masave duket ndoshta i vonuar. Por edhe ngutja nuk do t’i shërbente si duhet qëllimit. Ndoshta duhej një kohë e caktuar për të sensibilizuar partnerët dhe miqtë e Kosovës. Ndërkohë kjo masë duhet të shtrihet në gjithçka, edhe në dokumentet doganore, çertifikatat e sigurisë së mallrave dhe deri te përdorimi i pasaportave ekuivalente të të dy shteteve.
Duhet besuar se qeveria e Kosovës i ka marrë masat që aksionin e saj politik dhe ekonomik ta zhvillojë në harmoni me KFOR-in dhe aleatët më të fuqishëm të saj. Gjithësesi është me rëndësi që ajo t’i shkojë deri në fund këtij aksioni. Të mos tërhiqet jo vetëm në strategji, por as në ndonjë aspekt të veçantë, të cilin e parashikon vendimi për vendosjen e masave reciproke. Çdo tërheqje do të bëjë efektin e lëshimeve që Kosova ka bërë në dhjetë vitet e fundit ndaj Serbisë dhe ndërhyrjeve që ajo ka realizuar në territorin e vendit.
Megjithatë duhet besuar se Beogradi do të reagojë në format që ai di të reagojë në kësi rastesh. Vështirë të besosh se liderët politikë të Serbisë, të cilët kanë deklaruar krijimin e një shteti ku të përfshihen të gjithë serbët, të qëndrojnë indiferentë! Ata do të provokojnë trazira. Do të ankohen në qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Do të shpifin e trillojnë lloj-lloj historish për akte që kurrë nuk kanë ndodhur e nuk mund të ndodhin në Kosovë. Do të shpërndajnë ndoshta trakte për rezistencë të serbëve në Kosovë! Çfarë nuk pritet prej kësaj Serbie të tërbuar nga etja për territoret e reklamuara e të pretenduara nga Garashanini, Gjergjoviçi, Pashiqi, Rankoviçi e Milosheviçi!
Me rëndësi është të ruhet qetësia! Që forcat policore e të ndërhyrjes së shpejtë të veprojnë me profesionalizëm të lartë! Që forcat politike të Kosovës të bëhen bashkë e të flasin me një zë, duke mbajtur të njëjtin qëndrim! Që analistët e media të heqin dorë nga tifozllëku politik e të mos I shërbejnë Serbisë! Që së paku të neutralizohet qëndrimi pro-serb i Edi Ramës!