Mëngjesi i së martës e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare në Jarinj. Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator nga Kuvendi i Kosovës, se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.
Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie edhe më 20 shtator, kur ka nisur të zbatohet kjo masë.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa. Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 20 shtator se autoritetet në Prishtinë po demonstronin forcë dhe se ata kishin interpretuar sipas dëshirës së tyre Marrëveshjen e Brukselit kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve.
Vuçiq e ka përshkruar situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.
Disa orë pas këtyre deklaratave të Vuçiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.