Rruga në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës, në Mitrovicën e veriut, vijon të jetë e bllokuar nga serbë që protestojnë kundër masës së reciprocitetit për targat.
Sipas një vendimi të qeverisë Kurti, automjetet që hyjnë nga Serbia duhet të pajisen me targa të përkohshme në kalimet kufitare të Kosovës, e njëjta masë që autoritetet serbe aplikojnë ndaj automjeteve të regjistruara në Kosovë.
Forcat e policisë qëndruan në gatishmëri përgjatë gjithë natës, ndërsa më herët gjatë së hënës u hodh gaz lotsjellës për të zhbllokuar rrugët në afri të pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Duke e cilësuar këtë si ditën më të vështirë për serbët e Kosovës, presidenti Aleksandër Vuçiç i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të sjellë në vete të paarsyeshmit, siç u shpreh, ndërsa paralajmëroi masa ekonomike dhe politike kundër Kosovës.
Gjëja më e rëndësishme është që ne të përpiqemi të ruajmë paqen, por në të njëjtën kohë do të dalim të vendosur para komunitetit ndërkombëtar. Ose implementoni marrëveshjet e Brukselit ose boll u tallët. Më pas, do të flasim nesër përmasat tona. Shpresoj se nuk do të duhet t’i aplikojmë këto masa, si ekonomike ashtu edhe politike, thjesht pasi nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin. I kërkoj përfaqësuesve ndërkombëtarë të sjellin në vete të paarsyeshmit, t’i detyrojnë të sillen në mënyrë civile. Nëse nuk do ta bëjnë, ne do të dimë se si të mbrojmë vendin tonë, nuk ka asnjë dyshim”, tha Vuçiç.