Tregu rajonal është i fragmentuar dhe nuk është tërheqës për investitorët e mëdhenj. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, për A2 CNN. Nga Tirana ku ndodhet në takimin e liderëve të rajonit me kancelaren gjermane Angela Merkel, ai u shpreh se iniciativa e procesit të Berlinit ka dhënë rezultate në transformimin e rajonit.
“Kancelarja Merkel e ka ndihmuar shumë Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO dhe rrugëtimin në BE. Iniciativa e procesit të Berlinit ka dhënë rezultate e veta në transformimin e rajonit nga një rajon lufte, që në Sofje nënshkroi marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik. Do të lërë trashëgimi këto projekte të rëndësishme, dhe ne do t’i pasurojmë deri në anëtarësimin e plotë të Ballkanit në BE”.
Sipas Osmanit, iniciativa e Open Balkan është një tentativë për të bashkëpunuar politikisht dhe ekonomikisht në rajon.
“Në Ballkanin Perëndimor janë 72 iniciativa rajonale, disa të suksesshme, disa më pak të suksesshme dhe disa në tentativë për t’u dëshmuar se janë të suksesshme. Ajo e Open Balkan është tentativë për të bashkëpunuar politikisht dhe ekonomikisht në Ballkan në rajon. Tregu i Ballkanit Perëndimor është i fragmentuar dhe nuk është atraktiv për investitorët e mëdhenj dhe për të liruar potencialin që ka ky rajon. Iniciativën e shoh si një tentim shtesë, për të liruar barrierat administrative për ekonomi më të fuqishme në rajon dhe për ta bërë më atraktiv për turistë të huaj”.
Sa i takon Kosovës, Osmani thekson se ajo e vlerëson vetë nëse duhet të behët pjesë, por shton se ky është një projekt pilot për të cilin rajoni ka nevojë për integrimin e tregut, si fazë përgatitore për anëtarësimin në BE.