Avioni i kancelares gjermane Angela Merkel, ka mbërritur rreth orës 10:00 në aeroportin Nënë Tereza në Rinas. Ajo dhe delegacioni i saj kanë nisur vizitën zyrtare në kryeqytetin shqiptar një ditë pas asaj në Beograd. Kancelarja gjermane do të takohet në Tiranë edhe me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ajo u prit në Rinas nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko dhe ai i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, shkruan Xhaçka.
Pas ceremonisë së mikpritjes në Pallatin e Brigadave, Merkel u takua me kryeministrin Edi Rama në orën 10:30.
Ndërkohë, konferenca e përbashkët për shtyp Merkel-Rama do të zhvillohet në orën 14:35.