Brenda ditës, Maqedonia e Veriut po administron 13 deri në 15 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit. Mjekët thonë se kjo dinamikë e vaksinimit është solide, megjithëse thonë se për t’u arritur imuniteti kolektiv do të duhet që të vaksinohet mbi 80 për qind e popullatës.
“Duke parë të dhënat e vaksinimit gjatë kësaj periudhe kohore, mund të themi se kemi një dinamikë të kënaqshme, që plotëson kriteret e nevojshme që pandemia të vendoset nën kontroll. Procesi i vaksinimit po zhvillohet mirë dhe shpresoj që të vazhdojë në këtë mënyrë derisa të arrihet një mbrojtje e përgjithshme përmes vaksinimit për gjithë popullatën e vendit. Kjo mbrojte nga COVID-19 mund të arrihet nëse vaksinohet të paktën 80 deri në 85 për qind e popullatës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, mjeku Zllate Mehmedoviq, që punon në qendrën për COVID-19 në Shkup.
Në Maqedoninë e Veriut, deri më tani, 26 për qind e popullsisë është vaksinuar me dy dozat e vaksinës, ndërkaq 35 për qind kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Pensionisti Aco Nasollçev thotë se është imunizuar me të dy dozat e vaksinës dhe ky fakt e bën që të ndihet më i sigurt.
“Shpëtimi është te vaksinat. Nuk mundemi tërë kohën të qëndrojmë të mbyllur. Pas marrjes së vaksinës ndihem më i sigurt kur dal me miqtë e mi për të pirë kafe apo kur bëj pazarin”, thotë Nasollçev për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, Agim Koleci thotë se vaksinimi mundëson kthimin e të rinjve në shkolla.
“Vaksinimi është i rëndësishëm për shëndetin e të gjithëve dhe jo vetëm për shëndetin personal”, thotë ai.
Masat e reja, që kanë hyrë në fuqi muajin e kaluar, e ku kërkohet dëshmia për vaksinim për të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh, kanë rritur dukshëm interesimin e qytetarëve që të vaksinohen.
Interesimin e qytetarëve për vaksinim e shohin si shumë pozitiv edhe punëtorët shëndetësorë, por ata kanë thënë se është problematike që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve hezitojnë të vaksinohen, pasi nuk u besojnë vaksinave, pavarësisht se autoritetet shëndetësore kanë thënë se vaksinat që përdoren në Maqedoninë e Veriut janë të sigurta.
“Frika nga vaksinat vjen pas informacioneve nga kolegët apo disa të afërm, të cilët pasi janë vaksinuar kanë pasur disa komplikime”, thotë Gjumben Ramadani.
Por, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se deri më tani asnjë person nuk është ankuar që ka pasur komplikime pas vaksinimit, përveç një 28-vjeçareje, e cila pasi mori vaksinën AstraZeneca në Serbi, u shtrua në spital pas disa problemeve me mpiksjen e gjakut.
Përmes fushatës “Për momentet e lumturisë –Vaksinohuni!”, autoritetet maqedonase po synojnë të ndërgjegjësojnë qytetarët për rëndësinë e vaksinimit si dhe të heqin të gjitha dilemat sa i përket sigurisë së vaksinave.
“Përmes kësaj fushate, mes tjerash do të luftojmë edhe kundër dezinformatave të cilat qarkullojnë dhe habisin e frikësojnë qytetarët. Me këtë kemi për qëllim, që përmes informacionit të vërtetë të largojmë mitet dhe të pavërtetat rreth vaksinave”, ka deklaruar Venko Filipçe në rastin e promovimit të kësaj fushate. Filipçe më 10 shtator ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë.
Por, të rinjtë thonë se fushatat televizive nuk arrijnë në masën e duhur tek ata, pasi të rinjtë informohen kryesisht përmes rrjeteve sociale.
“Në rrjetet sociale më shumë janë duke qarkulluar lajme, përkatësisht më shumë dezinformata sa i përket vaksinimit sesa informata të sakta lidhur me këtë proces. Ky është një nga elementet kyçe pse bashkëmoshatarët e mi nuk shprehim shumë interesim që të vaksinohen. Kjo për shkak të dezinformatave”, thotë studenti Blendi Hodai.
Në Maqedoninë e Veriut vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por bëhet në mënyrë vullnetare. Qytetarët, mbi 16 vjeç, që duan të vaksinohen, nuk duhet që paraprakisht të përcaktojnë termin, por vetëm duhet të paraqiten në qendrat e vaksinimit.
Ndërkaq, për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, duhet që paraprakisht prindërit të japin pëlqimin për vaksinim. Prindërit duhet që këtë ta bëjnë përmes regjistrimit të fëmijëve të tyre në ueb-faqen dedikuar vaksinimit, ku caktohet data për marrjen e vaksinës për këtë grupmoshë.