Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se talebanëve u është bërë përsëri e qartë gjatët orëve të fundit se komuniteti ndërkombëtar do t’u kërkojë të respektojnë zotimet për të lejuar të gjithë ata që kanë dokumente të rregullta udhëtimi të largohen nga Afganistani nëse dëshirojnë. Sekretari i Shtetit i bëri komentet në Katar, ku ndodhet së bashku me shefin e Pentagonit për të diskutuar situatën në Afganistan, masat anti-terrorizmit dhe ndihmat humanitare:
Sekretari Blinken tha se në 24 orët e fundit talebanët kishin respektuar angazhimet e bëra, duke lejuar largimin me rrugë tokësore të katër shtetasve amerikanë. Të hënën një zyrtar i Departamentit të Shtetit pohoi se talebanët ishin në dijeni të itinerarit që do të ndiqej, por pa specifikuar se në ç’pikë kufitare u nxorën katër të evakuuarit.
Zoti Blinken tha se në Afganistan besohet të ketë ende rreth 100 shtetas amerikanë, disa prej të cilëve afgano-amerikanë. Ai shtoi se Departamenti i Shtetit është në kontakt direkt me ta dhe me personat që e kanë për detyrë t’i ndihmojnë të gjejnë mënyra për të dalë nga Afganistani.