Sot (e hënë) në mbledhjen e shtabit të krizës lidhur me menaxhimin e situatës epidemiologjike me COVID19 në komunën e Tetovës, nga ana institucioneve kompetente u informua me sa vijon:
Në Qendrën Klinike në Tetovë janë gjithsej 91 pacientë të hospitalizuar me përkrahje oksigjeni, ku 8 prej tyre janë me dozën e parë, dhe 6 me dozën e dytë të vaksinës. Gjatë 24 orëve të fundit fatkeqësisht 6 persona kanë ndëruar jetë, dhe të gjithë kanë pasur edhe sëmundje të tjera përcjellëse.
Në ambulantën ditore janë 63 pacientë që marrin terapinë dhe trajtimin e duhur, kurse në komunën e Tetovës janë gjithsej 924 raste të regjistruara aktive me covid19.
Vaksinimi i qytetarëve në komunën e Tetovës shkon mirë dhe me dinamikë inkurajuese.
Kemi hapur qendrën e rivaksinimit në Qendrën për Kulturë në Tetovë, kurse pika e vaksinimit tek Teleferiku është gati dhe e njëjta do të vendoset në funksion sipas nevojës.
Ditëve të kaluara janë realizuar nga 500 vaksinime në ditë, kurse tendanca dhe qëllimi ynë është që brenda 14 ditëve, të arrijmë që 50 % e banorëve të Tetovës të jenë të vaksinuar.
Në shkollat fillore në komunën e Tetovës ku mësimi filloi me prezencë fizike, deri më sot nuk janë regjistruar raste pozitive me covid 19 të nxënësve apo mësimdhënësve.
Apelojmë edhe njëherë për kujdes maksimal! Edhe pse numrat e rasteve të reja pozitive janë në rënie, situate akoma mbetet mjaft serioze.
Qytetarët duhet të vazhdojnë të tregohen të kujdesshëm, të respektojnë masat dhe protokolet mbrojtëse, të mbajnë maskat mbrojtëse dhe të vaksinohemi të gjithë pa përjashtim, duke përfshirë këtu të rinjtë dhe fëmijët e moshës mbi 12 vjeçare.