Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, gazetari, shkrimtari dhe veprimtari nga Malësia, Fran Camaj, është laureat i Çmimit të Komunës së Tuzit “1 Shtatori – Dita e Komunës” për vitin 2021. Çmimi i është ndarë nga juria me motivacionin “për kontributin në fushën e arsimit, të gazetarisë e letërsisë si dhe të veprimtarisë shoqërore të gjithanshme në dobi të Malësisë, shqiptarëve në Malin e Zi dhe kulturës kombëtare”, ndërsa i është dorëzuar nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, të mërkurën, më 1 shtator, në mbrëmjen solemne me rastin e Ditës së Komunës së Tuzit. Falënderojmë jurinë për ndarjen e Çmimit “1 Shtatori – Dita e Komunës”, e cila ka miratuar njëzëri propozimin e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Fran Camaj është anëtar i SHAI “Art Club”. Romani i tij “Rruga e pamëshirshme” është botuar në kuadër të edicionit botues të “Art Club”-it. Ai po ashtu është i përfshirë në përmbledhjen “Pet albanskih književnika u Crnoj Gori“, botuar nga “Art Club”. Ka qenë i ftuar i edicionit të 23-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”. Fran Camaj është edhe redaktor, recensent apo lektor i disa prej botimeve të “Art Club”-it.