Sot shtrëngohet ora policore: Masat e reja kundër COVID-19

Sot futen në fuqi një pjesë e masave të reja kundër përhapjes së COVID-19. Dy ditë më parë, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi ndryshimin e orës policore nga ora 23:00 – 06:00 që do të hyjë në fuqi nga data 1 shtator. Ndërkohë që duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte; pasaportën e vaksinimit, testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Gjithashtu u vendos vaksinimi me detyrim për tre kategori; personeli shëndetësor, arsimtarët dhe studentët.

Masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve:

– Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00.
– Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

 Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.

– Vlerësohet që Shtatori, duke qenë muaj i hapur, të jetë periudha që të gjithë stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët, të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *