Gjatë një interviste për ABC, Presidenti amerikan Biden u pyet nëse situata që ndodhte në Afganistan ishte dështim i inteligjencës.
“Unë nuk mendoj se ishte një dështim,” tha Presidenti. “Kur talebanët filluan të marrin në kontroll vendin, udhëheqësi i asaj qeverie hipi në një avion dhe u largua. Ne pamë rënien e trupave që kemi stërvitur vetë, por kjo thjesht ndodhi, tha ai.
I pyetur nëse ai mendon se tërheqja e trupave duhej të ishte trajtuar ndryshe. Biden tha: “Jo”. Presidenti tha se ai mendonte se kaosi në vend ishte i pashmangshëm pas largimit të trupave amerikane.
Por në deklaratat publike që kur Biden njoftoi tërheqjen e trupave amerikanë, ai i tha popullit amerikan se tërheqja e ushtarëve do të ndodhte në mënyrë të sigurt dhe të rregullt.
Dhe në korrik, Biden zhvilloi një konferencë në Shtëpinë e Bardhë për të minimizuar perspektivën që qeveria afgane mund të shembet dhe talebanët mund të marrin pushtetin, duke thënë se rezultati nuk ishte i pashmangshëm.
I pyetur gjatë intervistës në ABC News nëse vendimi ka pasur vlerë pas kaosit që ka përfshirë Afganistanin, Biden tha se po, por më pas shtoi se nuk e kishte llogaritur atë që ndodhi.