Kur dy vite më parë, një ekip i A2, me gazetarin Julian Kasapi, arriti të futej në kampin famëkeq Al Hawl, ku mbaheshin familjarët e anëtarëve të Shtetit Islamik, spikati takimi me një djalë të vogël.
Ishte pikërisht ky i fundit që e kishte dërguar në Siri, nuk dihet sa vjet më parë. Në atë kohë, Osama na tregoi se ishte vetëm 10 vjeç dhe në kampin e tmerrshëm jetonte në kushte shumë të vështira bashkë me shqiptarë të tjerë, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
A2 zbuloi se ai ishte nga Gostivari dhe quhej Osama Fidani. Në vitin 2013 babai i tij, Bekim Fidani, ishte larguar nga familja për t’u bashkuar me ISIS, por kishte humbur kontaktet me të afërmit e tij. Bashkë me Osamën, në Siri kishin mbetur edhe dy vëllezërit, Fidan Fidani (sot 16 vjeç), Advani (sot 10 vjeç) dhe motra Rejani (sot 6 vjeç).
Habib Fidani, xhaxhai i fëmijëve, na tregoi 2 vite më parë mes lotësh, se sa shumë i mungonin vëllai dhe nipërit, ndërsa mbesën e vogël nuk e kishte takuar kurrë, pasi kishte lindur në Siri.
Sot, fatmirësisht, ai ka mundur t’i përqafojë përsëri vogëlushët, të cilët janë kthyer në vendlindjen e tyre. Habib Fidani ka postuar disa foto në Facebook, ku shihet me fëmijët e vegjël, të cilët më në fund, pas shumë vitesh vuajtjesh, dhe në rrezik konstant, kanë arritur të largohen nga ferri ku i kishte dërguar njeriu që duhet t’i mbronte me çdo kusht, babai i tyre./ A2CN