–Në varësi prej situatës, do të flasim për masa eventuale restriktive. Fillimisht për ata që nuk janë vaksinuar, kështu sot nga Gjevgjelia e komentoi gjendjen me Covid-19 ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, shkruan Alsat. Filipçe tha se kriza mund të zgjas me vite, por që sipas tij me rëndësi është që nuk ka shtypje drejt institucioneve shëndetësore.
“Me rëndësi është që nuk ka presion ndaj spitaleve, as në ambulanca. Rreth 15 pacientë po trajtohen në Klinikën Infektive. Po e ndjekim me kujdes situatën edhe pse për momentin situata është e qetë, ka mundësi që ky trend i rritjes së rasteve të vazhdojë”, tha mes tjerash Filipçe.
Filipçe tha se po ndjekin rekomandimet e autoriteteve botërore shëndetësore në lidhje me procesin e vaksinimit dhe se është e mundur që në të ardhmen të rekomandohet marrja e dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19.
“Ndjekim rekomandimet në lidhje me vaksinimin, Një nga skenarët e mundshme është të ketë rekomandim për dozën e tretë të vaksinës…Shihet se nuk do të ndalet trendi i paraqitjes së llojeve të reja të koronës, me gjasë varianti Delta nuk do të jetë varianti i fundit i këtij virusi”, pohoi Filipçe.
Ndryshe, në vendin tonë aktualisht ka 456 raste aktive me virusin korona. Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 156.299 raste, prej të cilëve 150.350 janë shëruar, kurse 5.493 kanë ndërruar jetë.