Nën ndikimin e masës së ajrit të nxehtë nga jugu, nga sot e deri në fund të kësaj jave moti do të jetë shumë i nxehtë me temperatura mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.
“Në ditët në vijim në shumë vende temperaturat do të jenë mbi 35 gradë. Më nxehtë do të jetë nga dita e mërkurë deri të dielën kur edhe pritet të aktivizohet niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta, ndërsa vlera e indeksit UV do të jetë 9. Në vendet përgjatë Vardarit, temperatura do të kalojë 40 gradë Celsius”, njoftojnë nga Instituti Hidrometeorologjik.
Ndërkaq, moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Pasdite pritet të ketë më tepër vranësira në zonat malore në pjesën veriperëndimore të vendit, ku pritet të paraqiten kushte për shi të rrëmbyeshëm afatshkurtër, me shtrëngata të rralla. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 11 deri në 20, ndërsa maksimalja do të arrijë 32 deri në 38 gradë Celsius. UV indeksi do të jetë 8.
Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me re të vogla deri mesatare, më tepër gjatë pasdites. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimorë. Temperatura minimale do të bie në 18, ndërsa maksimalja do të arrijë në 37 gradë Celsius.