Pas eliminimit zhgënjyes në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, nga sllovenët e Murës, Shkëndija e Ernest Gjokës, ka regjistruar një tjetër dështim, kësaj here në Ligën e Konferencës, teksa u mposht në ndeshjen e parë nga letonezët e Rigës me rezultatin 2-0.
Një humbje e hidhur kjo për kampionët në fuqi të Maqedonisë së Veriut, të cilëve do iu duhet një mrekulli në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Shkup, për të siguruar kualifikimin në turin e tretë të Ligës së Konferencës.
Uesli në minutën e 13-të dhe Vakulko në të 52-tën ishin autorët e golave për skuadrën e Rigës. Vlen të theksohet se pjesë e letonezëve, është dhe mesfushori i Kosovës, Halimi, i cili u aktivizua në minutën e 79-të, teksa në të 80-tën u ndëshkua me karton të verdhë.