Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Verit, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai ka dërguar mesazh urimi me rastin e Kurban Bajramit 2021. Në mesazhin e tij, ai ka treguar vlerën e kësaj feste dhe të therrjes së kurbaneve.
Ndërkaq ka vlerësuar, se me këtë sakrificë për hir të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona.
“Dashur besimtarë, vëllezër e motra, po përjetojmë Festën e Madhe të Kurban Bajramit, festë e cila sjell gëzimе të mëdha për të gjithë ne, në familjet tona dhe mbarë muslimanët në vend dhe më gjërë. Kurban Bajrami është Festë e madhe sepse në vete përmbanë shumë dimenzione historike dhe shoqërore me domethënie të jashtëzakonshme për njerëzimin në përgjjthësi, e për besimtarët në veçanti: Në këto ditë përfundoi zbritja e Kur’anit Famëlartë, me çka Islami mori formën e tij përfundimtare si fe dhe sistem jete, pa kufizime në kohë dhe hapësirë. Kryhet kushti i pestë islam, Haxhi, dhe gjatë ditëve të Kurban Bajramit realizohet detyra e therjes së kurbanëve që paraqet porosinë kryesore për afirmimin dhe forcimin e dinjitetit njerëzor. Këtë na e vërteton edhe rasti i Ibrahimit a.s., kur ai deshti ta realizojë premtimin dhënë të Madhit Zot, mori birin e tij ta flijojë në emër të Tij, në atë moment, në vend të të birit, atij iu dhurua kafsha për kurban. Ky akt edhe njëherë, në mënyrë konkrete dhe decide e potencoi dhe e vërtetoi vlerën dhe dinjitetin e njeriut ndaj krijesave tjera. Pikërisht për këtë, vëllezër dhe motra, Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet. Me këtë sakrificë për hir të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona. Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, i buzëqeshjes me të tjerët, i shërbimit ndaj të tjerëve, i gatishmërisë për vepër madhore dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta, ndaj të keqes. E gjithë kjo ka një qëllim arritjen e kënaqësisë së Krijuesit tonë. Pikërisht për këtë i Madhi Zot në Kuranin Famëlartë thotë :Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëbërsit. Te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun, për atë që ju ka udhëzuar (në rrugën e drejtë). Dhe, jepu lajmin e mirë bamirësve!” (Kaptina Haxhxh, 37)Në fund, kam nderin e veçantë që në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve të vendit dhe bashkatdhetarëve tanë kudo që jetojnë t’u shpreh urime të përzemërta duke lutur Allahun Fuqiplotë në këtë Festë të bekuar t’i pranojë lutjet tona, kurbanet tona dhe ibadetet tona, ta forcojë paqen në botë, ta largojë të keqen në mes njerëzve, të na dhurojë durim në sprovat e kësaj jete. Allahu na bekoftë me të mirat e Tij të pakufishme. Për shumë jetë e gëzofshi Kurban Bajramin.Shkup, 19 Korrik 2021”, thuhet mes të tjerash në urimin e Reisit, Shaqir Fetahu