Padia e ish-Presidentit Trump ndaj rrjeteve sociale, vë në pah fuqinë e platformave

Ish Presidenti Donald Trump po përballet me vështirësi në përpjekjet për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara. Padia e tij e fundit kundër kompanive Google, Facebook dhe Twitter vë në pah fuqinë e këtyre platformave për të kontrolluar mesazhin dixhital, edhe kur bëhet fjalë për udhëheqës botërorë.

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ish Presidenti Donald Trump, i cili u bllokua nga Facebook, Twitter dhe Youtube, pas trazirave në Kapitol më 6 janar, po lufton për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes. Ai provoi një blog, ndërsa aleatët e tij hapën dy faqe rrjetesh sociale.

Në fillim të muajit, ai ngriti padi ndaj kompanive të mëdha të rrjeteve sociale për kufizim të së drejtës për lirinë e fjalës. “Rasti ynë do të dëshmojë se kjo censurë është e paligjshme, antikushtetuese dhe plotësisht jo-amerikane”, tha zoti Trump.

Ai nuk duket se e ka problem tërheqjen e publikut, veçanërisht në tubime. Por, sipas kompanisë SocialFlow postimet që përmendin zotin Trump dhe bisedat rreth tij në rrjete sociale kanë rënë me 90 për qind për periudhën nga janari në maj 2021.

“Mendoj se ai tani po e kupton humbjen që i shkaktoi mungesa e audiencës. Është gjë e madhe”, tha për Zërin e Amerikës Jim Anderson nga kompania SocialFlow.

Në gjithë botën, udhëheqësit po provojnë mënyra të ndryshme për të frenuar gjigantët e medias sociale. Qeveria nigeriane bllokoi Twitter-in pasi platforma fshiu një postim të Presidentit Buhari. Në Indi, aplikacioni i Facebook-ut, WhatsApp, paditi qeverinë për të ndaluar disa rregulla të reja të “mbikëqyrjes në masë”. Në Rusi, një ligj i ri u kërkon kompanive të rrjeve sociale, që të punësojnë staf lokal nëse duan të reklamojnë në vend.

Ndërsa udhëheqësit ndërmarrin vendime lidhur me fjalimet në internet bazuar në zhvillimet në vendet e tyre, disa të tjerë duket se po marrin parrasysh ndalimin që firmat e mediave sociale i bënë ish Presidentit Trump.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *