Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar ndaj Qeverisë për refuzimin e amendamentit të deputetit të tyre Halil Snopçe, për matësit e ndotjes së ajrit.
Deputeti Halil Snopçe, sot deklaroi se qëllimisht e ka propozuar amendamentin që të vendosen matës për ndotjen e ajrit, në mënyrë që siç tha, ta testojë Qeverinë në lidhje me seriozitetin e tyre për çështjen e ekologjisë.
“Pra gjithë ato promovime, pompozitete, agjenda e gjelbër, projektet e gjelbërta, luftë për mjedis të pastër, e kështu me radhë, a janë fjalë boshe, a janë fjalë vetëm për të hedhur hi syve të opinionit, apo me të vërtetë ka ndonjë qëllim të sinqertë në këtë aspekt? Pra edhe amendamenti në fjalë kishte për qëllim që të teston Qeverinë, pra qëllimi i Qeverisë a është i pastër në të vërtetë, apo është një farsë dhe fjalë boshe siç e themi ne, sepse dyshimet tona janë në këtë aspekt”.
“Ne e dëgjuam konferencën e fundit të ministrit për Financa zotëri Fatmir Besimi, i cili promovoi risitë në këtë rebalanc që propozohet, bile ky promovim ishte i sponsorizuar që do të thotë se Ministria e Financave jepte theks të veçantë në këtë aspekt, ishte shumë e interesuar të promovohet. Ai promovoi nënprogramin për zhvillim të gjelbër në kuadër të programit për zhvillim mjedisor të Qeverisë gjithnjë në kuadër të prioriteteve evropiane për projekte të gjelbërta siç thonë ata. Pra, këtë e bëri vetë ministri, zotëri Besimi”, tha Snopçe.