Liga e Konferencës/ Shtatë skuadra shqiptare në fushë, mësoni duelet interesante të ditës së sotme

8 korriku është datë e shënuar për disa klube shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat sot debutojnë në kompeticionet europiane.

Kjo është një verë e paharrueshme për futbollin mbarëshqiptar, pasi për herë të parë në histori marrin pjesë 11 klube shqiptare në Kupat e Europës. Teuta, Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina ishin në Champions. Ndërsa tetë klube të tjera fituan të drejtën për të luajtur në Konferencë Ligë. Shqipëria prezantohet në këtë kompeticion të ri me Vllazninë, Partizanin dhe Laçin. Drita dhe Llapi përfaqësojnë Kosovën, ndërsa Shkupi dhe Struga janë dy klubet shqiptare nga Maqedonia e Veriut në Konferencë Ligë.

Partizani sot në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena” do të sfidojë moldavët e Stinful George, në një takim ku të besuarit e Ilir Dajës do të kërkojnë triumfin që në takimin e parë duke parë se ndeshjen e parë e luajnë në shtëpi.

Vllaznia luan ndeshjen e parë në Bosnje ndaj skuadrës së Shiroki Brijeg në orën 21:00, për objektivin e vetëm fitoren. Skuadra shkodrane do të tentojë rezultatin pozitiv që në takimin e parë.

Risia ka qenë prania e Deçiçit, skuadra e parë shqiptare që përfaqëson Malin e Zi në këtë kompeticion. Dita e sotme sjell dy përballje shqiptarësh në Europë. Deçiçi i Tuzit ka udhëtuar që mbrëmë në Kosovë, ku sonte në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet në turin e parë të Konferencë Ligës me Dritën e Gjilanit.

Ndërsa përballja tjetër e gjitha shqiptare në Europë është ajo mes Shkupit dhe Llapit, ku fituesit e Kupës së Kosovës do ta luajnë ndeshjen e parë në transfertë në Maqedoninë e Veriut, në orën 20:00 në “Arena Todor Proeski”.

Për Llapin, Deçiç dhe Strugën është një natë e paharrueshme, nga ato që do të mbeten gjithnjë në muzeun e klubit, pasi bëjnë përfaqësimin e parë në Europë në nivel klubesh në veprimtari zyrtare.

Ndërsa Struga e nis aventurën europiane në orën 16:00 në letoni ndaj skuadrës Liepaja. Fituesi i çiftit Drita-Deçiç i bie që në turin e dytë të Konferencë Ligës të ndeshet me holandezët e Fejnordit. Ndërsa fituesi i çiftit Shkupi-Llapi i bie të përballet në turin e dytë me portugezët e Santa Klarës.


About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *