Bullgaria vlerëson se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për mbajtjen e konferencën së parë ndërqeveritare me BE-në edhe pse vetoja e saj për shkak të kontestit me Maqedoninë e Veriut bllokoi hapin e radhës në integrimin e Tiranës dhe Shkupit. Dy vendet humbën më 22 qershor, për të tretin vit radhazi shansin për tu bërë palë në negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Këtë vit, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit nga vende spektike si Holanda, vendimi penalizues për dy shtetet u ndikua nga vetoja e Bullgarisë prej mosmarrëveshjeve kryesisht të identitetit me Shkupin zyrtar.
Por Bullgaria, ndërkohë, në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së që u mblodh në qershor, kërkoi që perspektiva e Shqipërisë të mos bllokohej sepse i meritonte negociatat.
Televizioni Ora News në Shqipëri kontaktoi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për të mësuar mbi debatet e asaj dite mes kryediplomatëve europianë në Luksemburg.
Zyra e Shtypit theksoi se ndaj Shqipërisë nuk pati rezerva. Bullgaria i vlerëson reformat integruese në Shqipëri, me të cilën ka gati 100 vjet lidhje diplomatike, por e nxit megjithatë qeverinë që t’i vijojë ato, të forcojë partneritetin dypalësh dhe të mbrojë minoritetin bullgar në vend.
Ndërsa dihet pozicioni pozitiv për Tiranën, Sofja shprehet se do e vijojë dialogun me Shkupin për temat ende të pazgjidhura, me besimin që me t’i adresuar ato, dy shtetet kandidate të mund t’i hapin negociatat me BE-në brenda Presidencës aktuale sllovene.
Vizioni i Bullgarisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor është për integrimin e tij tërësor në Bashkimin Europian.
Ora News: Të martën, gjatë diskutimeve në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE, a ndau Bullgaria pikëpamjen se Shqipërisë meriton t’i jepet një dritë jeshile për negociatat me BE-në? A është Bullgaria pro ndarjes ose trajtimit të veçantë të procesit për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
Zyra e Shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë: Bullgaria është mbështetëse aktive e procesit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.
Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së në vitin 2018 e vendosi rajonin në krye të axhendës së saj politike pas një pauzë 15-vjeçare. Përpjekjet tona gjatë Presidencës së Këshillit u pritën shkëlqyeshëm nga partnerët tanë në BE dhe nga Ballkani Perëndimor. Samiti i Sofjes dhe Deklarata e Sofjes përbëjnë zhvillime të rëndësishme për rajonin.