Zv. Kryeministri i Parë Artan Grubi në forumin “Dialogu i Prespës” është fotografuar në një moment duke i treguar disa numra kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, transmeton TetovaSot.
“Ca numra interesant”, ka shkruar Grubi përmes rrjetit Facebook.
Siç mëson TetovaSot, Grubi Ramës ia ka treguar anketat e fundit, ku BDI vazhdon të ketë rritje të vazhdueshme dhe është dyfish më e fortë se partitë tjera shqiptare së bashku. Nga ana tjetër edhe anketa e fundit që u publikua sot, tregon që BDI fiton të gjitha komunat shqiptare në zgjedhjet lokale që do të mbahen ne tetor të këtij viti.
Ndryshe Grubi sot së bashku me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Para këtij takimi, Ahmeti dhe Grubi kanë ulur në një tavolinë Kurtin dhe homologun e tij Edi Rama. Nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i misionit të Ahmetit dhe Grubit që të afrojnë Ramën dhe Kurtin, pas një periudhe të marrëdhënieve të tensionuara midis tyre.