Një incident që përfshinë një anije luftarake britanike në brigjet e Krimesë së pushtuar nga Rusia kishte filluar në internet – me një udhëtim virtual që në të vërtet nuk ka ndodhur kurrë.
Më 24 qershor, anija HMS Defender doli në titujt kryesorë të medieve ruse, pasi lundroi 12 kilometra larg vijës bregdetare të Krimesë. Kremlini këto ujëra i konsideron si territor rus. Për pjesën më të madhe të botës, ato i përkasin Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se kishte shtënë si shenjë paralajmëruese dhe hodhi bomba për ta parandaluar anijen e Marinës Mbretërore. Mirëpo, Ministria britanike e Mbrojtjes i mohoi këto pretendime.
Një reporter i BBC-së, i cili ndodhej në bordin e HMS Defender tha se, anija u provokua nga avionët luftarakë dhe anijet e rojeve bregdetare ruse.
Por të dhënat e Marine Traffic tregojnë se të dy palët mund të jenë përfshirë në atë që një ekspert e quajti “diplomaci virtuale detare”.
Udhëtimi që nuk kishte ndodhur
Në orët e para të 19 qershorit, të dhënat treguan që HMS Defender dhe fregata holandeze HNLMS Evertsen, po i afroheshin portit të Sevastopolit në Det të Zi.
Është mjaftë e çuditshme, por këto anije nuk ishin atje.
Mirëpo, nga pamjet e kamerave në internet tregojnë që të dy anijet ishin vërtet të ankoruara afërsisht 300 kilometra larg në Odessas, në kohën kur Marine Traffic i paraqiste ato që po i afroheshin territorit të kontrolluar nga Rusia.
Marine Traffic lejon përdoruesit të gjurmojnë trafikun botëror të transportit duke përdorur të dhëna të disponueshme për publikun në Sistemin e Identifikimit Automatik (AIS). Anijeve mbi një madhësi të caktuar iu kërkohet që të transmetojnë të dhënat në AIS, të cilat përmbajnë koordinatat, kursin dhe shpejtësinë e tyre.
Si u mashtrua AIS?
Mbikëqyrësi i Global Fishing Watch, Bjorn Bergman i tha Euronews se mashtrimi i pozicionit të një anijeje është i ndërlikuar por i mundshëm.
“Disa njësi të AIS-it vazhdimisht japin vlera të koordinatave të kompensuara. Kjo është shumë e lehtë për t’u zbuluar pasi ekzistojnë gjurmët edhe nga vendet e largëta. Në disa raste më të pazakonta, ne marrim pozicione false të AIS-it që rezultojnë nga anija që merr informacione të GPS-së të manipuluara”, tha Bergman.
Anije false, konflikt i vërtetë
Anders Puck Nielsen, një analist detar në Kolegjin danez të Mbrojtës, i tha Euronews se një “aktor i panjohur” kishte vendosi udhëtimin virtual në Marine Traffic.
“Unë dyshoj se po i dërgohet një sinjal Marinës Mbretërore dhe ekuipazhit në HMS Defender dhe fregatën holandeze”, tha Nielsen.
“Ka të bëjë me vendosjen e pushtetit përçarës”, tha një tjetër ekspert ushtarak i cili komentoi për Euronews në kushte anonimiteti.
Anijet detare suedeze që operojnë në Detin Baltik hasën në një incident të ngjashëm mashtrimi në fillim të këtij viti kur të dhënat e AIS-it treguan në mënyrë të pasaktë se ato ishin në ujërat ruse pranë Kaliningradit.
Forcat e Armatosura të Suedisë e morën seriozisht incidentin.
“Është e rëndësishme që informacioni i disponueshëm për publikun të jetë i saktë, pasi gabimet mund të ndikojnë në besimin te autoriteti. Manipulimi dhe dezinformimi po ndodh vazhdimisht në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë, pa qenë gjithmonë të vetëdijshëm për këtë”, thanë Forcat suedeze në një deklaratë të botuar në muajin mars.
E ardhmja e luftës
Për Nielsenin, udhëtimi i rremë i HMS Defender dhe HNLMS Evertsen në Sevastopol lë të kuptohet shfaqjen e një lloji të ri konflikti.
“Kjo ndodhi në Marine Traffic më bën të mendoj se po shohim një koncept të diplomacisë virtuale detare, ku ata dërgojnë virtualisht një anije luftarake nëpër ujërat e tyre”, tha Nielsen.
“Unë mendoj se është një ndryshim i asaj që shohim me Facebook dhe Twitter dhe mediet sociale, duke u manipuluar për qëllime të ndryshme. Ne duhet të mësojmë se nuk mund t’i besojmë gjithmonë këtij informacioni”, shtoi ai.
Ndërsa, incidenti i Krimesë tregon se si të dhënat e falsifikuara të AIS janë bërë pjesë e luftës së informacionit midis fuqive botërore, për Bergman të Global Fishing Watch, mashtrimi i AIS-it është i lidhur me veprimtari kriminale të jetës reale.
“Anijet e përfshira në veprimtari të paligjshme shpesh fshehin identitetin e tyre kur transmetojnë në AIS”, tha Bergman.
“Megjithatë informacioni i pozicionit që transmetoi anija vazhdoi të ishte i saktë, duke lejuar që vendndodhja e tyre t’i kalohej Marinës Indoneziane që kapi anijen”, përfundoi ai.