Osmani nga Poznani: Hapëm çështje të rëndësishme

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në takimin vjetor të Ministrave të Punëve të Jashtme nga vendet e Grupit të Vishegardit- V4 dhe vendet e Ballkanit Perëndimor-BP6, i cili në kuadër të presidencës polake u mbajt në Poznan.

Temë kryesore e takimit ishte procesi i zgjerimit të BE-së dhe zhvillimet e fundit lidhur me Samitet e fundit të BE-së. Në prani të Përfaqësuesit Special të BE-së për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, por edhe të Ministrit të Kroacisë,  u hapën tema për të ardhmen e  procesit të zgjerimit me vendet e rajonit, si proces i dyanshëm që nënkupton përmbushje të obligimeve nga të dyja palët, si dhe pasqyrimin e të gjitha këtyre çështjeve në kredibilitetin dhe integritetin e BE-së në rajon dhe në botë.

Osmani falënderoi Presidencën e ardhshme sllovene me Unionin për planet dhe prioritetet e tyre në lidhje me Ballkanin Perëndimor, por edhe për përpjekjet e presidencës portugeze  për fillimin e negociatave për aderim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Në vitet e fundit, vendi, ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme, për ta filluar procesin negocioues dhe rrjedhimisht çdo shtyrje e fillimit të këtij procesi shkakton zhgënjim dhe frustrim të caktuar ndaj procesit të zgjerimit. Por edhe përskaj këtyre sfidave, ne jo vetëm që nuk tërhiqemi nga e ardhmja jonë evropiane, por vazhdojmë me angazhim edhe më aktiv në tejkalimin e mos-marrëveshjeve me fqinjin tonë, paralelisht me angazhimin tonë aktiv në mbrojtjen dhe promovimin e kredibilitetit evropian në rajon”, theksoi Osmani.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *