Kroacia në tapet, Spanja realizon golin e pestë!

Pas një ndeshje tërësisht të çmendur dhe pas 120 minutash, Spanja ka mundur të fitojë me shifrat 3-5 ndaj Kroacisë dhe është kualifikuar në çerekfinale të Euro 2020, teksa pas pak orësh mëson kundërshtarin, që do jetë një mes Francës dhe Zvicrës.

Ishte një ndeshje, që i kishte të gjitha dhe mund ta themi pa asnjë mëdyshje se ishte beteja më e bukur e këtij Europiani. Kishte autogola, gafa të paharrueshme, përmbysje e gjithçka tjetër.

Spanjollët e nisën mirë dhe u futën shpejt në rrjedhën e lojës së tyre me shumë pasime dhe sulme të organizuara. Kroacia u mbyll e gjitha pas, por shënoi gol, madje pa u lodhur fare. Pedri dha një pasim të thjeshtë te Unai Simon. Portieri çuditërisht nuk e kontrolloi dhe i dhuroi golin Kroacisë në minutën e 20.

Pas kësaj rrjete Spanja u shokua dhe nuk mundi të marrë frenat e lojës. Kroacia rrezikoi portën e iberikëve, por nuk mundi të shfrytëzoi përgjumjen e kundërshtarëve. Dalëngadalë Spanja u rikthye dhe nisi të duket në portën e Kroacisë. Në minutën e 38 erdhi edhe goli i barazimit.

Ishte Pablo Sarabia, i cili tundi rrjetën në minutën e 38, pasi portieri Livakovic ktheu sferën pas një tjetër gjuajtje të djemve të Enrique. Pas golit Spanja vijoi me presionin dhe u shpërblye. Në minutën e 57 ishte Ferran Torres, që dha një krosim perfekt në zonë dhe Azpiliqueta tundi rrjetën me kokë.

Në minutën e 77, kur Kroacia ishte hedhur në sulm, vjen goli i tretë i Spanjës. Këtë herë ishte radha e Kroacisë për dhurata. Ballkanasit nuk shfrytëzojnë mirë një faull dhe topi shkon në kontrollin e Ferran Torres. Sulmuesi i Manchester Cityt gjen rrugë të pastër, driblon një mbrojtës dhe tund rrjetën.

Pas golit të tretë Kroacia vazhdoi sulmet dhe shpërblehet sepse në minutën e 85-të Orsic gjeti golin pas kaosit në zonë dhe ndihmës së Goal Line Tenchnology.

Në minutën e tretë të shtesës do vinte një goditje e rëndë për Spanjën. Do ishte sërish Mislav Orsic protagonist, duke dhënë një krosim shumë të bukur për Mario Pasalic, që tundi rrjetën me kokë dhe barazoi, duke sigluar një ndeshje të çmendur.

Në dy minutat e mbetura shtesë nuk kishte gol she arbitri Cakir sinjalizoi fundin e kohës së rregullt dhe kalimin në shtesën 30 minutëshe. Nisën shtesat dhe në minutën e 95 Unai Simon u kthye në “engjëll” dhe priti një goditje të Kramaric pak metra nga porta.

Edhe pse Koha nuk premtonte, Spanja vazhdoi me qetësinë e saj.Shumë pasime për të “trullosur” Kroacinë dhe formula rezultoi e duhura. Morata, njeriu më i kritikuar deri më tani shënoi një gol, që me siguri i gëzoi, por edhe ua mbylli gojën të gjithëve.

Ylli i Juventusit në minutën e 99-të tundi rrjetën pas një goditje të fortë dhe çoi shifrat në 4-3. Kroacia nuk kishte ç’bënte dhe u hodh e gjitha në sulm, por la hapësira pas, që u shfrytëzuan nga Spanja, që shënoi me Oyarzabal për 5-3. Kroacia dukej e lodhur dhe e pafuqishme për t’u kthyer edhe një herë.

Edhe në pjesën e dytë Spanja vijoi të luajë fort dhe të rrezikojë. Morata gaboi në dy raste, por e rëndësishme është se Kroacia qëndroi larg portës së Unai Simon dhe Spanja e arriti fitoren, pas kësaj ndeshje, që vetëm normale nuk ishte.

Pedri 20′ (autogol), Orsiç 85′, Pasaliç 90+2′ / Sarabia 38′ , Aspilikueta 57′ , F.Torres 76, Morata 100′ , Ojarzabal 104′ 

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *