Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në margjinat e Sesionit të Tetë Plenar të AP-së së PBEJL-së të mbajtur më 22 qershor 2021 në Antalia, realizoi takim bilateral me Mustafa Shentop, kryetar i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë.
Siç njoftojnë nga kabineti i tij, kryetari Talat Xhaferi i uroi kryetarit Shentop për kryesimin e suksesshëm të Turqisë me PBEJL-në, që paraqet formën e parë rajonale autoktone të bashkëpunimit dhe zërin autentik për rajonin që promovon vlerat e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duke e rritur bashkëpunimin rajonal.
“Ai theksoi se mbajtja e komunikimit intensiv në nivel të lartë midis shteteve, kontribuon fuqishëm në përparimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale. Bashkëpunimi midis dy vendeve në planin politik është me intensitet të madh, me takime të shumta në të gjitha nivelet. Maqedonia e Veriut dhe Turqia ndajnë vlera të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon, përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal”.
“Kryetari i Kuvendit falënderoi për faktin që Republika e Turqisë është mbështetëse e fortë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i vlerëson pozitivisht proceset e reformave dhe përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ai më tej vuri në dukje se Maqedonia e Veriut është e vendosur së bashku me Turqinë për t’i promovuar dhe ndarë vlerat dhe përgjegjësitë e përbashkëta të NATO-s, si vendi i 30-të anëtar i Aleancës. Kryetari Xhaferi vuri në dukje se marrëdhëniet intensive dhe të mira hapin hapësirë për bashkëpunim edhe më intensiv ekonomik midis dy vendeve, duke qenë se Turqia është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit tonë dhe një nga investitorët më të mëdhenj”, thuhet në njoftim.