Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar deklaratat e Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti është shprehur se Kosova e ka një asociacion të komunave që është funksional ndërsa shton se Kosova s’mund të ketë asociacion mbi baza etnike.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, u shpreh kreu i qeverisë për kp.