Shefi i NATO-s pranon se tërheqja nga Afganistani ka rreziqe

Nuk ka asnjë garanci që qeveria dhe forcat e sigurisë së Afganistanit do të kenë sukses, apo qoftë edhe të mbijetojnë, pas largimit të trupave të fundit amerikane dhe atyre të koalicionit nga ku vend. Ky është vlerësimi i prerë i një zyrtari të lartë të NATO-s.

“Ne duhet të ballafaqohemi me realitetin, sigurisht që ka shumë pasiguri. Vendimi për t’u larguar sjell rreziqe”, i tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg një audience virtuale të hënën përpara takimeve në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila mbikëqyr trupat amerikane në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, deri tani janë tërhequr pothuajse gjysma e trupave amerikane dhe forcat e fundit, kontraktuesit civilë dhe pajisjet e vendosura atje do të largohen nga Afganistani jo më vonë se fillimi i muajit shtator.

Tërheqja e vetë NATO-s, që përfshin rreth 7,000 trupa, është gjithashtu “në rrugën e duhur”, tha zoti Stoltenberg, duke mbrojtur vendimin për t’i kthyer forcat në atdhe, pas gati dy dekadash lufte me Talibanët dhe grupet terroriste si al-Kaida dhe Shteti Islamik.

“Të mos harrojmë se në një farë mënyrë ky është një zhvillim gradual”, tha zoti Stoltenberg. “Jo shumë vite më parë, kishim më shumë se 100,000 trupa në një operacion të madh luftarak”.

“Gjatë këtyre viteve ne kemi qenë në gjendje të ndihmojmë e trajnojmë forcat afgane të sigurisë në mënyrë që ata të jenë përgjegjës për sigurinë në vendin e tyre”, shtoi ai.

Megjithatë dyshimet në lidhje me aftësinë e forcave afgane të sigurisë për të funksionuar pa këtë mbështetje thelbësore në terren nga forcat e SHBA-së dhe NATO-s, vazhdojnë të mbeten.

Prej fillimit të tërheqjes së trupave amerikane muajin e kaluar, forcat talibane kanë marrë nën zotërim të paktën shtatë qarqe në vend, disa prej të cilave pa hasur në ndonjë rezistencë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *