Studentët e programit studimor të Artit Figurativ në kuadër të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, në hapësirat e këtij fakulteti, hapën ekspozitën e tyre të përbashkët. Kjo ekspozitë tani më është shndërruar në tradicionale dhe me përmbylljen e semestrit veror, studentët në këtë ngjarje ekspozojnë punimet e tyre të përzgjedhura në pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn grafik.
Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me profesorë dhe studentë të këtij fakulteti.
Ekspozitën e shpalli të hapur Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Nafi Jashari. Ai tha se hapja e kësaj ekspozite është një ditë feste për studentët dhe profesorët e fakultetit tonë, pasi që çdo student nga vitit i parë e deri te viti i katërt, ka mundësi që të ekspozojë punimet e tij që ka realizuar brenda vitit akademik.
Sipas tij, çdo punim në këtë ekspozitë dëshmon për mundin, kontributin dhe angazhimin e profesorëve ndaj studentëve, që ata të jenë sa më profesionistë në lëmin e pikturës, dizajnit grafik, skulpturës dhe grafikës.
Ekspozita e studentëve do të jetë e hapur për vizitorët, deri në fillim të vitit të ri akademik 2021/2022.