Shpallje e malit Sharr si park kombëtarë për banorët e fshatit Përshevcë të komunës së Tearcës nuk është e pranueshme në kufijtë që pretendojnë institucionet. Sipas Fadil Sabriut parku kombëtarë është planifikuar që të fillon menjëherë mbi fshat edhe ata do të kenë shumë pengesa, pasi në mal kanë prona dhe kanë frikë se do tu kufizohet lëvizja edhe aktivitetet.
“Ne frikohemi se ata mund ta bëjnë park komercial edhe fshatarët kanë interes të bartin dru, kemi prona private deri lartë. Ka vikend shtëpiza dhe në kërkojmë që parku nacional të shpallet në bjeshkë lartë, jo poshtë ata ku e kanë parapa hartën dhe për këtë arsyeje nuk pajtohem. Shpallja e parkut nacional do t’i dëmtojë pyjet edhe ata mund t’i japin në formë tenderi dhe do i presin kush të dojë edhe kush të mundet dhe nëse ne nuk mund të ndryshojmë ne do marrim edhe hapa tjerë në formë proteste”, deklaroi Fadil Sabdiu, banor i fshatit Përshevcë.
Por drejtori i Mjedisit jetësor Hisen Xhemaili thotë të kundërtën. Sipas tij parku nacional nuk do të kufizon lëvizjen e banorëve të fshatrave por do të sjell të mira për ta.
“Kufiri i parkut fillon menjëherë mbi fshatrat që janë rezë malit, por këtu duhet theksuar se banorët nuk do të kenë kufizime sa i takon biznesit përdorimit të tokave të pronave të drejtën e shfrytëzimit të ujit për pije dhe të gjitha aktivitete ekonomike që i kanë zhvilluar deri më tani, dmth në këtë drejtim nuk do të kenë pengesa por do të kenë stimulime sa i takon zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë, bletarisë dhe bizneseve tjera që zhvillohen në malësinë e Sharrit”, tha Xhemaili.