Sa ka mandat politik Bullgaria për të marrë këtë vendim para zgjedhjeve, ku do të jetë Udhërrëfyesi dhe cila do të jetë përmbajtja e Udhërrëfyesit – këto janë tre faktorët thelbësorë. Qasja jonë është që të gjitha kartat janë vendosur për progres në qershor, por këto tre çështje do të jenë kyçe për epilogun”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Në një intervistë për “360 gradë”, shefi i diplomacisë nuk fsheh që Bullgaria dëshiron që Udhërrëfyesi të jetë pjesë e procesit zyrtar të negociatave të Maqedonisë së Veriut, por tha se vendet e tjera anëtare të BE-së e kundërshtojnë atë, sepse një precedent i mundshëm në rastin maqedonas mund të jetë një hyrje në situata të ngjashme në të ardhmen, në një rajon të mbushur me konteste dypalëshe.
Për vizitën e përbashkët të presidentëve Stevo Pendarovski dhe Rumen Radev në Romë, beson se është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e besimit dhe normalizimin e komunikimit midis të dy palëve, i cili, siç thotë ai, ka qenë dukshëm i përkeqësuar në të kaluarën. Ai takim, konsideron ai, kishte simbolikë, por edhe thelb “sepse është mundur të flitej hapur për të gjitha çështjet dhe mënyrat për të kapërcyer bllokadën”.
“Padyshim, që vetëm presidenti i Bullgarisë ka mandat të plotë politik, të gjitha institucionet e tjera kanë një mandat teknik në lidhje me organizimin e zgjedhjeve. Megjithatë, unë shpesh them se qeveria teknike nuk është një komision shtetëror zgjedhor dhe mund të marrë vendim për të hapur negociata, por këtu presidenti Radev është shumë i rëndësishëm dhe kështu që komunikimi në Romë ishte shumë i rëndësishëm dhe vazhdon në të gjitha nivelet – ka pasur komunikim ndërmjet kryeministrave, kemi shkëmbyer dokumente të caktuara me ministrin e Punëve të Jashtme, presim një takim të kryeministrave dhe ministrave në ditët në vijim dhe eventualisht të bihet dakord për një dinamikë për të përdorur këto 20 ditë për të gjetur një zgjidhje”, thotë Osmani në intervistë