Injektimi i mjeteve në projekte që kanë vlerë të lartë të shtuar ka rëndësi të madhe për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe më pas për përshpejtimin e rritjes ekonomike, – theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi në sesionin informues të organizuar nga Ministria e Financave lidhur me “Projektin për efikasitet energjetik në sektorin publik”, i cili realizohet me përkrahjen e Bankës Botërore. Objektivi i sesionit informues është që kryetarët e komunave të informohen për mënyrën e aplikimit të thirrjes publike publikuar para një jave, për shfrytëzimin e mjeteve për investime në objektet komunale me efikasitet energjetik, me fond të përgjithshëm prej 10.5 milionë euro.
“Ky projekt ka rëndësi të madhe sa i përket forcimit të kapacitetit fiskal të komunave. Prandaj, besoj se shumë shpejt do të vendosni se në cilat objekte në komunë duhet të veprohet si dhe të aplikoni për mjetet në dispozicion. Interesi i madh për këtë projekt dëshmon se jemi të gatshëm të përballemi me sfidat globale si qëndrueshmëria e së ardhmes energjetike dhe mjedisi jetësor i shëndetshëm “, theksoi Besimi.
Fjalim kishte edhe drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.
Paolucci theksoi se një nga objektivat kryesore të këtij projekti është krijimi i mekanizmit financiar të qëndrueshëm që do të mundësojë rritjen e investimeve me efikasitet energjetik në sektorin publik.
“Krijimi i Fondit për efikasitet energjetik, i cili është planifikuar në kuadër të këtij projekti, si mekanizëm financiar revolving do të mundësojë përkrahjen e rritjes së investimeve që synojnë përmirësimin e efikasitetit energjetik në sektorin publik dhe më vonë edhe në sektorët e tjerë. Ky mekanizëm revolving do t’i mundësojë Fondit që të vazhdojë me investime në sektorin publik, veçanërisht në komuna, përmes financimit të vazhdueshëm në efikasitetin energjetik pas përfundimit të Projektit,” informoi Paolucci.
Ai theksoi se projekti, përveç kursimit energjetik, do të kontribuojë në krijimin e vendeve “të gjelbërta” të punës. Gjithashtu informoi se rinovimet e objekteve dhe përmirësimi i cilësisë së ndriçimit publik bëhen zakonisht nga kompanitë lokale.