Shkupi merr mbështetje nga Austria, Çekia dhe Sllovenia për bisedimet me BE-në

Ministrat e Jashtëm të këtyre tri shteteve shprehën mbështetjen e tyre për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke thënë se çështjet e ndara bilaterale nuk duhet të bllokojnë zgjerimin e BE-së.

Bullgaria ka thënë se nuk e ka ndërmend që të heqë veton për nisjen e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, për shkak të çështjeve kontestuese që ka me Shkupin sa i përket gjuhës dhe historisë.

Sofja, që i është bashkuar BE-së më 2007, dëshiron që Shkupi ta pranojë se identiteti dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare.

Për të miratuar kornizën e nisjes së bisedimeve me ndonjë shtet aspirues, kërkohet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ai çek, Jakub Kulhanek dhe kryediplomati i Sllovenisë, Anze Logar arritën në Shkup për të ofruar mbështetjen e tyre për nisjen e bisedimeve, që është paraparë të nisin në qershor.

Këta tre ministra pritet që më 23 maj të vizitojnë edhe Shqipërinë.

Kulhanek tha se “nuk është fer” për një shtet anëtar të BE-së që të bllokojë procesin për shkak të çështjeve bilaterale.

“Kjo është një kohë kruciale, nuk duhet të lejojmë që procesi të ngecë për shkak të këtyre kërkesave”, tha ai.

Shumë shtete në Perëndim i bëjnë thirrje BE-së që të përshpejtojë procesin e bisedimeve për anëtarësim, pasi thonë se anëtarësimi i shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, është mënyrë për të luftuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Shkupi kishte aplikuar fillimisht për anëtarësim në BE më 2004 dhe kishte marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian më 2005.

Maqedonia e Veriut arriti marrëveshje me Greqinë lidhur me emrin, duke i dhënë fund një kontesti pothuajse tridekadësh.

Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *