Nga 4 mijë deri në 5 mijë euro duhet të gjobiten institucionet që nuk i zbatojnë dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, së bashku me zyrtarin, drejtues të institucionit përkatës. Por që prej hyrjes në fuqi të ligjit, funksionimit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Inspektorati për përdorimin e gjuhës asnjë gjobë nuk ka faturuar, ndërsa tradita e mosrespektimit të gjuhës shqipe vazhdon thuajse si më parë.
Duke iu referuar të dhënave të AZGJ-së, shkalla e zbatimit të gjuhës është shumë e ulët, në shumë sektorë e institucione. Madje prej 428 pyetësorëve drejtuar institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, mori përgjigje nga vetëm 27 për qind prej tyre (119 institucione). Interesimi i tyre rreth çështjes së përdorimit të gjuhës është i vogël, gjë që shihet edhe në gjuhën e zgjedhur për t’u përgjigjur, kryesisht në maqedonisht. Sesa ankesa janë grumbulluar gjatë kësaj periudhe dy vjeçare nga Inspektorati nuk japin hollësi.
Nga ana tjetër, Inspektorati për përdorimin e gjuhës, i formuar dy vjet më parë, akoma nuk ka shqiptuar asnjë gjobë. Ata janë ende në procedurat për licencimin e inspektorëve që duhet të merren me këtë çështje. Sipas drejtorit Fatmir Iseni, i emëruar nga Qeveria në këtë post që në dhjetor të vitit 2019, ata ende nuk janë gati. Bëhet fjalë për tre inspektorët e parë, licencimi i të cilëve pritet të arrihet në muajt e fundit të këtij viti.
“Ne jemi munduar që gjatë kësaj periudhe të respektojmë procedurat. Si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme, më pas pandemisë, konkurset, trajnimet u shtynë .Ne nuk mund të vëmë gjoba, për aq kohë sa inspektorët nuk kanë marrë licenca e më pas të dalin në terren për inspektim. Tre inspektorët e parë priten t’i marrin licencat në muajin nëntor, po ashtu edhe katër inspektorë të tjerë do të jenë pjesë e trajnimeve”, thotë Iseni. Ai pohon shkurt se kanë një pasqyrë të gjendjes, por nuk jep shifra lidhur me ankesat dhe vërejtjet e depozituara deri tani. Sipas Ligjit, inspektimi përfshin mbikëqyrjen e zbatimin të LPGj përkatësisht në emërtimet dhe vulat e institucioneve, mbi emrat e objekteve infrastrukturore, mbi publikimet në “Gazetën Zyrtare të RMV” dhe punë të tjera të përcaktuara me ligj. Që do të thotë se puna që do të duhet të kryhet është voluminoze.
Sipas Raportit më të fundit të AZGJ për vitin e kaluar, Qeveria nga gjithsej 220 shpallje në Gazetën zyrtare, nuk numëron asnjë në gjuhën shqipe, edhe kryeministria shpalljet i publikon vetëm në maqedonisht, së bashku me të gjitha ministritë të cilët po ashtu gjuhën e shpalljeve e kanë maqedonishten.
Detyrimi ligjor zbatohet plotësisht nga institucione të tilla si Dhoma e mjekëve, Komisioni i mbrojtjes së konkurrencës, Komisioni i zgjedhjeve dhe emërimeve dhe pjesërisht nga Parlamenti, Komisioni letrave me vlerë Komisioni rregullator i energjetikës, e ma pak nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve e Fondi i sigurimit pensional. Një tjetër shqetësim i AZGJ lidhur me përdorimin e shqipes është sektori i shëndetësisë. “Ligji përmban nene që i detyrojnë institucionet të veprojnë, por që për shkaqe të ndryshme, objektive ose subjektive, ato nuk respektohen në tërësi. Arsyetimi me shkaqet objektive, të shpeshtën është mbulesë për mungesë vullneti”, thuhet në konstatimin e AZGJ.