Këtë herë është koha për revolucion. Barcelona nuk ka ndërmend që të tolerojë më gabimet dhe mungesën e rezultateve. Nën drejtimin e presidentit Laporta dhe stafit të tij menaxhues do të bëhen shumë ndryshime dhe pritet që të largohen futbollistë të rëndësishëm.
Nuk përjashtohet mundësia që në listën e lojtarëve të skarcuar të ketë edhe emra që deri dje konsideroheshin të paprekshëm. Përjashtim bën vetëm Lionel Mesi, për të cilin drejtuesit po punojnë për rinovimin e kontratës së tij. Nga porta në sulm do të ketë disa të skarcuar. Portieri Neto nuk është i keq, por ai duhet të sakrifikohet për shkak se ka kontratë të shtrenjtë.
Edhe mbrojtësit Xhunior Firpo me Umtitin do të largohen për t’u bërë vend të rinjve. Në fundin e sezonit pritet që të largohen edhe futbollistët e huazuar që do të rikthehen si Alenja. Filipe Kutinjo do të jetë gjithashtu në listën e lojtarëve që duhet të gjejnë një tjetër ekip, por edhe Riki Puxh me Pjaniçin dhe Breithueitin.
Po nga emrat e rëndësishëm? Pike, Buskets dhe Serxhi Roberto po bëjnë gati valixhet. Nuk dihet ende e ardhmja e Antuan Grizmanit, i cili për momentin ka pak kërkesa, por mund të sakrifikohet nëse në drejtim të klubit do të telefonojnë skuadra të tjera. E thënë ndryshe, të gjithë janë në shitje…