Kancelarja gjermane, Merkel: Nuk ka armëpushim pa Hamasin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbështet bisedimet indirekte me Hamasin për sigurimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Palestinës, transmeton Insajderi.

Në Forumin Evropian WDR, Merkel u deklarua lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Palestinës dhe përshkallëzimin e tensioneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pyetjen: “Me talebanët në Afganistan janë zhvilluar bisedime. A do t‘i mbështesnit bisedimet me Hamasin në një mënyrë?”, kancelarja Merkel u përgjigj: “Duhet të ketë bisedime indirekte me Hamasin”.

Ajo tha se Egjipti dhe vendet e tjera arabe kanë biseduar me Hamasin. “Kjo (zgjidhje) nuk do të ndodhë pa asnjë kontakt me Hamasin. Kjo nuk është e nevojshme që gjithmonë të zhvillohet drejtpërdrejt por sigurisht që Hamasi duhet të përfshihet në një mënyrë të caktuar. Sepse nuk ka armëpushim pa Hamasin”, theksoi Merkel.

Më tej ajo pretendon se Izraeli i kundërpërgjigjet sulmeve të kryera ndaj tij dhe se ata mbështesin “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”.

Merkel tha se dënon fuqimisht edhe ngjarjet e antisemitizmit në Gjermani. “Kjo duhet të mbahet e ndarë nga çështja e kritikave ndaj politikave të shtetit të Izraelit. Kjo shprehet edhe në Izrael. Edhe këtu tek ne duhet të shprehet”, tha kancelarja gjermane.

Duke rikujtuar se edhe ajo vetë e kritikon politikën e Izraelit për vendbanimet, Merkel shtoi se do të tregojnë “zero tolerancë” për mbajtjen e protestave përpara sinagogave, djegien e flamujve dhe kundërshtimit total të judaizmit.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *