Vijon periudhë e komunikimit intensiv dhe përpjekjeve për ta tejkaluar bllokadën nga Bullgaria fqinje. Këtë javë pritet të vendosen kontakte me përfaqësuesit e Qeverisë teknike bullgare, por tani për tani nuk dihet nëse dhe kur do të ndodhë kjo. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, pret që edhe Presidenca portugeze t’i përforcojë aktivitetet e saj.
“Ka kontakte të caktuara në nivele të ndryshme. Këto ditë presim angazhim shtesë të Presidencës Portugeze, që edhe pse nuk është afër Ballkanit, ka dëshirë dhe vullnet të madh që të mbërrijmë disi deri te ky sukses i përbashkët dhe kanë interes që të përfundojnë punën e nisur nga Presidenca gjermane”, theksoi Nikolla Dimitrov – zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Javën e kaluar, në Forumin Ekonomik Delfi në Athinë, ishte thënë se edhe Greqia do të ndihmojnë në drejtim të tejkalimit të bllokadës me Bullgarinë. Dimitrovi nuk deshi të zbulojë se për çfarë ndihme bëhet fjalë dhe cilat janë idetë dhe propozimet e kryeministrit grek Micotakis.
“Biseduam shumë qëllimmirë, por mendoj se do të jetë shumë joproduktive nëse detajet i zbulojmë publikisht. Nuk flasim vetëm për një opinion publik, por për më shumë opinione të interesuara publike”, shtoi Dimitrov.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, të mërkurën që vjen, gjegjësisht më 26 të këtij muaji, bashkë me kolegun e tij bullgar Rumen Radev, do të udhëtojë në Vatikan për t’i nderuar Shën Kirilin dhe Metodijin. A do ta shfrytëzojë rastin Pendarovski që me Radevin të bisedojë edhe për problemin me Bullgarinë?
“Patjetër se do të bisedojmë, por do të jetë kontakt joformal. Nuk besoj se do të ketë ndonjë bisedë, e as nuk është paraparë që të ketë biseda formale, jo për shkak të situatës në Sofje me Qeverinë zyrtare, por për shkak se Presidente atje, njëjti si këtu nuk i udhëheq këto biseda në mënyrë operative”, deklaroi Stevo Pendarovski – president i Maqedonisë së Veriut.
Dje, mesazhe të forta dhe mbështetje erdhën edhe nga Samiti i dhjetë i Procesit Bërdo-Brioni në Slloveni, ku në Deklaratën që doli nga Samiti, kërkohet që BE-ja ta përshpejtojë procesin aderues, duke apeluar që negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë të hapen sa më shpejt që është e mundur.