Fakulteti Ekonomik i UT-së e përmbylli me sukses prezantimin e ofertës akademike për vitin 2021/2022
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës e ka prezantuar me sukses ofertën akademike për vitin 2021/2022 në disa qytete në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Stafi akademik i Fakultetit Ekonomik ka realizuar takime me maturantët e shkollave të mesme të qytetit të Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës dhe Kumanovës.
Sipas prodekanes për shkencë të këtij fakulteti, Doc. Dr. Aida Yzeiri Baftijari, profesorët para maturantëve të vendit tonë kanë shpalosur programet studimore që Fakulteti Ekonomik i UT-së ofron: Ekonomi dhe Biznes; Kontabilitet dhe Financa; Menaxhment dhe Marketing; Turizëm si dhe programin studimor Biznes Ndërkombëtar. “Studentët të cilët kryejnë studimet në programin studimor Ekonomi dhe Biznes, aftësohen për ndërmarrjen e iniciativave në zbulimin dhe krijimin e sfidave afariste dhe mund të zhvillojnë karrierë profesionale në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe menaxhmentit, që kërkojnë inovacion, ndërmarrje të riskut dhe orientim drejt tregtimit. Kurse studentëve të cilët përfundojnë studimet në programin studimor Kontabilitet dhe Financa u jepet mundësia për kryerjen e punëve të larta profesionale nga fusha e kontabilitetit, revizionit dhe vendimmarrjes financiare, në të gjithë sektorët e ekonomisë” – tha Doc. Dr. Aida Yzeiri Baftijari.
Ajo më tej po ashtu theksoi se: “Sa i përket programit studimor Menaxhment dhe Marketing duhet theksuar se ky program u mundëson studentëve sukses në realizimin e punëve në lëmin e veprimtarisë strategjike, komunikim në marketing, shërbime dhe ide, shitje, marrëdhënie me publikun, hulumtime në treg, etj. Ndërsa programi studimor i Turizmit studentëve u mundëson zhvillimin e aftësive për kryerjen e punëve në lëmin e turizmit dhe resurseve natyrore, aftësi për punë në procesin arsimor, si profesor i turizmit ose menaxher i turizmit etj. Edhe programi studimor Biznes Ndërkombëtar, si pjesë e ofertës akademike të Fakultetit Ekonomik në kuadër të Universitetit të Tetovës, u ofron studentëve mundësi unike për pajisje me dituri përkatëse teorike dhe specifike nga të gjithë lëmat e biznesit ndërkombëtar” – përfundoi fjalën e saj Doc. Dr. Aida Yzeiri Baftijari.
Po ashtu gjatë prezantimit të ofertës akademike të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës maturantët u njoftuan se studimet në këtë fakultet organizohen sipas modelit 3+2 dhe 4+1 dhe se të gjitha programet studimore janë tё akredituara sipas Sistemit tё Bolonjёs dhe janë tё pranuara nё nivel nacional dhe ndërkombëtar.