Zyrtarët e Gaza-s thonë se e diela ishte ‘dita më vdekjeprurëse’

Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve aktuale me Izraelin.

Siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, më shumë se 40 njerëz u vranë në sulmet ajrore izraelite në këtë territor të dielën.

Në anën tjetër, Ushtria e Izraelit thotë se militantët palestinezë kanë qëlluar më shumë se 3,000 raketa në drejtim të Izraelit gjatë javës së kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka paralajmëruar se luftimet e mëtejshme mund ta fusin rajonin në një “krizë të pakontrollueshme”.

Ai u lut për t’i dhënë fund menjëherë dhunës “krejtësisht të tmerrshme”.

Ndërkohë të hënën, aeroplanët luftarakë izraelitë filluan 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit lëshuan një breshëri raketash në Izraelin jugor.

OKB ka paralajmëruar gjithashtu për mungesë të karburantit në Gaza gjë që mund të çojë në humbjen e energjisë nga spitalet dhe objektet e tjera.

Lynn Hastings, zëvendës koordinatore speciale e KB për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, i tha BBC se ajo u kishte bërë thirrje autoriteteve izraelite që të lejonin KB të sillte karburante dhe furnizime, por u tha që nuk ishte e sigurt.

Zyrtarët e Gazës thanë se 42 persona, përfshirë 16 gra dhe 10 fëmijë, vdiqën në sulmet ajrore të së Dielës.

Dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në sulmet me raketa ndaj Izraelit që kur filluan luftimet të hënën e kaluar, tha Izraeli.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Gaza tani qëndron në 188 persona, përfshirë 55 fëmijë dhe 33 gra, me 1,230 të plagosur, sipas ministrisë së shëndetit të kontrolluar nga Hamas. Izraeli thotë se dhjetëra militantë janë mes të vdekurve.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *